Ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Malaj në një intervistë në “Frontline” në Report Tv, ka folur për zhvillimet politike dhe ekonomike në vendin tonë.
Sa i përket ministrisë së re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Malaj tha se bashkimi mes Ekonomisë dhe Inovacionit duhej të ishte bërë pa vonesa, por pati rezerva për ‘shkrirjen’ e Kulturës.
“Kam të njëjtin qëndrim që kam pasur se ministria e Financave nuk mund të jetë së bashku me atë të Ekonomisë. E konsideroj të dobishme dhe pak të vonuar këtë ndarje. Nga studimet e mia ka të bëjë me faktin se midis tyre ka kontradikta këto ministri duhet të jenë në konkurrencë me njëra tjetrën. Ministria e Financave ka si përgjegjësi ligjore e morale të ruajë stabilitetin e financave publike, një dificit më i ulët një borxh më i ulët dhe një kosto më e ulët. Ministria e ekonomisë ka objekt rritje ekonomike më të qëndrueshme dhe një rritje ekonomike më të drejtë. Lidhur me kulturën nuk e kuptoj dhe nuk e mirëkuptoj. Ta bashkosh ministrinë e Kulturës me Ekonominë do të thotë që kjo ministri të ketë një peshë në ekonominë e vendit. Aktualisht nuk ka peshë të ndikueshme. Do ishte më mirë të bashkohej me turizmin”, tha Malaj.
“Duhet të ishte bërë pa vonesë bashkim i Inovacionit me Ekonominë. Është e paargumentuar mirë, pse Kultura shkon te Ekonomia, por shqetësimi më i madh janë ndryshimet e shpeshta në strukturat e qeverisë. Shpesh ristrukturimet edhe kur ndodhin brenda të njëjtës mazhorancë krijojnë pasiguri brenda administratës publike. Kam frikë dhe fakti që ne njerëzit nuk parapëlqejnë të futen në sektorin publik lidhet me pasigurinë për ta pasur vendin e punës dhe për të bërë karrierë profesionale. Kultura ka disa kufi sepse është si të thuash thesari më i madh i identitetit kombëtar. Ajo meriton një vëmendje. Bashkimin do ta shohim pak më vonë. Kulturën duhet ta kishim ministri të konsoliduar…”, shtoi ai.
Por i pyetur për përzgjedhjen e drejtuesit të kësaj ministrie që është Blendi Gonxhe, Malaj tha se e njeh atë si një njeri që e merr detyrën dhe çon deri në fund.
“Unë i kam parë reagimet në media. Rama ka preferuar të bëjë zgjedhjet e tij pa u lodhur shumë për të negociuar për emrat që do suportojë. Për Gonxhen aq sa e njoh është një njeri që e merr një detyrë dhe e çon në fund. Gonxhe ka qenë nënkryetar i bashkisë dhe ka qenë si të thuash “kali i punës”.
“Unë shpresoj që Gonxhe të bëjë diçka ndryshe dhe tu japë një zë të fortë zhvillimeve të ekonomisë shqiptare”, shtoi ai.