Vendosni fjalën kyçe....

“Na presin kohë shumë të vështira” – Ministri francez


Rivendosja e sistemit financiar të Francës do kërkojë shkurtime të ashpra të shpenzimeve, tha të hënën Ministri i Financave Bruno Le Maire, teksa paralajmëroi kombin për kohë të vështira që e presin

Duke folur në Paris, Le Maire tha se ai është i vendosur të rregullojë financat e vendit duke pakësuar borxhin prej shumë trilionë eurosh të vendit dhe deficitin buxhetor. Qeveria franceze shpenzoi shumë për të mbështetur familjet dhe bizneset gjatë pandemisë Covid-19, dhe krizës energjetike pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

“Ju kujtoj se duhet të gjejmë të paktën 12 miliardë euro kursime deri në vitin 2025. Për sa i përket financave publike, pjesa më e vështirë është përpara nesh”, tha Le Maire.

Ministri i Financave u ankua për “vendimet e vështira” që qeveria ka marrë dhe nuk ka marrë ende. Në javët në vijim do bëhen propozime të reja, shtoi ai, veçanërisht në lidhje me rishikimet e shpenzimeve publike.

Buxheti i vendit për vitin 2024 tashmë është shënuar me shkurtime të shpenzimeve që vijnë kryesisht nga heqja e përshkallëzuar e subvencioneve të energjisë. Opozita kritikoi dokumentin për masa shtrënguese, megjithëse parashikon rritje të pagesave të mirëqenies dhe pensioneve.

Në qershor, Le Maire tha se masat shtrënguese “nuk ishte një mundësi” dhe se do ishte “një gabim ekonomik dhe politik”.