Me përfaqësuesit e tij që sulmojnë nga shumë pika të favorshme dhe programin e tij bërthamor të ringjallur papritur, Irani po paraqet një sfidë të re për Perëndimin, këtë herë me Rusinë dhe Kinën në anën e tij.
Presidenti Biden dhe ndihmësit e tij të lartë të sigurisë kombëtare besuan verën e kaluar se mundësitë për konflikt me Iranin dhe përfaqësuesit e tij ishin nën kontroll. Pas bisedimeve sekrete, ata sapo kishin përfunduar një marrëveshje që çoi në lirimin e pesë amerikanëve të burgosur në këmbim të 6 miliardë dollarëve në fondet e ngrira iraniane dhe disa të burgosurve iranianë.
Militantët që Teherani financon dhe armatos – Hamasi në territoret palestineze, Hezbollahu në Liban dhe Houthit në Jemen – dukeshin relativisht të qetë. Irani madje ngadalësoi pasurimin e uraniumit në vendet e tij bërthamore nëntokësore, duke vonuar përparimin e tij drejt një bombe të mundshme.
Sulmi ndaj Izraelit i Hamasit më 7 tetor dhe reagimi i ashpër i Izraelit kanë ndryshuar gjithçka. Tani zyrtarët amerikanë dhe izraelitë dhe dhjetëra vende që punojnë së bashku për të mbajtur transportin e tregtinë të rrjedhë në Detin e Kuq, po përballen me një Iran rishtas agresiv.
Pas nisjes së një sërë sulmesh, nga Libani në Detin e Kuq në Irak, grupet përfaqësuese janë përplasur drejtpërdrejtë me forcat amerikane dy herë gjatë javës së kaluar dhe Uashingtoni po kërcënon haptazi me sulme ajrore nëse dhuna nuk ndalet.
Ndërkohë, edhe pse pak i diskutuar nga administrata Biden, programi bërthamor iranian befas ka nisur të shpërthejë. Inspektorët ndërkombëtarë njoftuan në fund të dhjetorit se Irani nisi një rritje të trefishtë të pasurimit të uraniumit të shkallës afër prodhimit të një bombe.
Sipas vlerësimeve më të përafërta, Irani tani ka lëndën e nevojshëm për të paktën tre armë bërthamore – dhe zyrtarët e inteligjencës amerikane besojnë se pasurimi shtesë i nevojshëm për ta kthyer atë lëndë në lëndë të tipit bombë do merrte vetëm disa javë.
“Ne jemi kthyer në pikën e nisjes,” tha javën e kaluar Nicolas de Rivière, një diplomat i lartë francez i përfshirë thellësisht në negocimin e marrëveshjes bërthamore të Iranit të vitit 2015.
Të marra së bashku, dinamika me Iranin është më e ndërlikuar se në çdo moment që nga kapja e Ambasadës Amerikane në 1979 pas përmbysjes së shahut. Zyrtarët e inteligjencës amerikane dhe evropiane thonë se nuk besojnë se iranianët duan një përplasje të drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara ose Izraelin, për të cilin ata dyshojnë se nuk do përfundonte mirë.
Por ata duken më shumë se të gatshëm të shtyjnë përpara, duke mundësuar sulme, duke bashkërenduar shënjestrimin e bazave dhe anijeve amerikane që transportojnë mallra dhe karburant dhe duke ecur përsëri në drejtimin e ndërtimit të një arme bërthamore.
Kompleksitetit të problemit i shtohet shtrirja në mënyrë dramatike e ndihmës së Iranit për Rusinë. Ajo që filloi si një rrjedhje e dronëve Shahed të shitur në Rusi për përdorim kundër Ukrainës është kthyer në një përmbytje. Dhe tani zyrtarët e inteligjencës amerikane besojnë se, pavarësisht paralajmërimeve, Irani po përgatitet të dërgojë raketa me rreze të shkurtër veprimi për t’u përdorur kundër Ukrainës, ndërkohë që Kievit i mungon mbrojtja ajrore dhe predhat e artilerisë.
Është një pasqyrim i një dinamike fuqie të ndryshuar ndjeshëm: që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, Irani nuk e gjen më veten të izoluar. Është papritur në një lloj aleance me Moskën dhe Kinën, dy anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që, në një epokë të kaluar, mbështetën Uashingtonin në përpjekjen për të kufizuar programin bërthamor të Iranit. Tani, ajo marrëveshje ka vdekur, e përfunduar nga ish-presidenti Donald Trump pesë vjet më parë, dhe befas Irani ka dy superfuqi jo vetëm si aleatë, por si klientë që shkatërrojnë sanksionet.
“Unë e shoh Iranin të pozicionuar mirë, dhe ai ka kapur mat SHBA-në dhe interesat e saj në Lindjen e Mesme,” tha Sanam Vakil, drejtor i programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Chatham House.
“Irani është aktiv në të gjithë kufijtë, rezistent ndaj çdo lloj ndryshimi nga brenda, ndërkohë që pasuron uraniumin në nivele shumë alarmante.”
Një marrëveshje e qetë që përfundoi keq
Presidenti amerikan Biden hyri në detyrë me qëllim të ringjalljes së marrëveshjes bërthamore të Iranit të vitit 2015, e cila frenonte programin bërthamor të Teheranit për tre vjet derisa Trump u tërhoq nga ajo në vitin 2018. Pas më shumë se një viti negociatash, një marrëveshje u arrit në verën e vitit 2022 për të rivendosur pjesën më të madhe të marrëveshjes. Ajo do i kishte kërkuar Iranit që të dërgonte karburantin e tij bërthamor të sapoprodhuar jashtë vendit, ashtu siç ishte në vitin 2015.
Por përpjekja dështoi.
Për vitin e ardhshëm, Irani përshpejtoi programin e tij bërthamor, duke pasuruar për herë të parë uraniumin në pastërtinë 60 për qind, pak nga 90 për qind e nevojshme për të prodhuar një armë. Ishte një lëvizje e llogaritur që synonte t’i tregonte Shteteve të Bashkuara se Teherani ishte vetëm disa hapa nga një bombë – por pa kaluar kufirin, për të parandaluar një sulm ndaj objekteve të tij bërthamore.
Megjithatë, në verën e vitit 2023, Brett McGurk, koordinatori i Biden për Lindjen e Mesme, në heshtje bashkoi dy marrëveshje të veçanta. Njëri i liroi pesë të burgosurit amerikanë në këmbim të disa iranianëve të burgosur dhe transferimin e 6 miliardë dollarëve në asete iraniane nga Koreja e Jugut në një llogari në Katar për qëllime humanitare.
Por marrëveshja e dytë, që Biden nuk donte të zbulohej, ishte një marrëveshje e pashkruar që Irani do kufizonte pasurimin e tij bërthamor dhe do mbante një tutelë mbi forcat përfaqësuese në rajon. Vetëm atëherë, iu tha iranianëve, mund të kishte bisedime për një marrëveshje më të gjerë.
Për disa muaj dukej se po funksiononte. Përfaqësuesit iranianë në Irak apo Siri nuk sulmuan forcat amerikane, anijet lundronin lirshëm në Detin e Kuq dhe inspektorët raportuan se pasurimi ishte ngadalësuar në mënyrë drastike.
Disa analistë thonë se ishte një qetësi e përkohshme dhe mashtruese. Suzanne Maloney, drejtoresha e programit të politikës së jashtme në Institutin Brookings dhe një ekspert i Iranit, e quajti atë “masë që ata shpresonin se do ruante një qetësi në rajon përmes zgjedhjeve”.
Sulmet nga të gjitha anët
Zyrtarët e inteligjencës amerikane thonë se Irani nuk e ka nxitur apo miratuar sulmin e Hamasit në Izrael dhe ndoshta as që iu është thënë për këtë. Hamasi mund të ketë pasur frikë se fjala e sulmit do dilte nga Irani, duke pasur parasysh se sa thellë kanë depërtuar në vend inteligjenca izraelite dhe perëndimore.
Por sapo filloi lufta kundër Hamasit, forcat përfaqësuese të Iranit u hodhën në sulm. Megjithatë, kishte të dhëna domethënëse se Irani, duke u përballur me problemet e veta të brendshme, donte të kufizonte konfliktin. Në fillim, kabineti i luftës i Izraelit diskutoi një sulm parandalues ndaj Hezbollahut në Liban, duke u thënë amerikanëve se një sulm ndaj Izraelit ishte i pashmangshëm dhe pjesë e një plani iranian për të goditur Izraelin nga të gjitha anët.
Ndihmësit e presidentit Biden u tërhoqën, duke argumentuar se vlerësimi izraelit ishte i gabuar dhe penguan sulmin izraelit. Ata besojnë se parandaluan – ose të paktën vonuan – një luftë më të gjerë.
Megjithatë, ditët e fundit është rishfaqur kërcënimi për një luftë me Hezbollahun. Grupi gjuajti shumë raketa në një bazë ushtarake izraelite të premten dhe të shtunën e shkuar në atë që e quajti një “përgjigje paraprake” ndaj vrasjes javën e kaluar të një udhëheqësi të lartë të Hamasit, Saleh al-Arouri, në Liban.
Disa në qeverinë izraelite, si ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant, kanë paralajmëruar se vetëkënaqësia për qëllimet e Hamasit nuk duhet të përsëritet me Hezbollahun, i cili mendohet se ka deri në 150,000 raketa të drejtuara kundër Izraelit dhe ka tstërvitur disa nga trupat e tij, Forcat Radëan për një pushtim ndërkufitar.
Por në Uashington, shqetësimi tani është më pak për një sulm të Hezbollahut ndaj Izraelit sesa një sulm izraelit ndaj Hezbollahut. Shtetet e Bashkuara i kanë thënë Izraelit se nëse Hezbollahu kalon kufirin, Uashingtoni do e mbështesë Izraelin por jo anasjelltas.
Hezbollahu duket se ka qenë i kujdesshëm deri më tani për të mos u dhënë izraelitëve një justifikim për një operacion ushtarak. Megjithatë, Irani e ka ndërtuar Hezbollahun, forcën më të fuqishme në Liban, si mbrojtje për vete, jo për palestinezët. Hezbollahu është një parandalues kundër çdo sulmi të madh izraelit ndaj Iranit, duke pasur parasysh masakrën që mijëra raketa të tij mund t’i shkaktojnë Izraelit.
Kjo është një arsye kryesore pse Irani dëshiron ta mbajë Hezbollahun jashtë luftës në Gaza, tha Meir Javedanfar, një pedagog për Iranin në Universitetin Reichman të Izraelit. Përndryshe, Izraeli mund të godasë drejtpërdrejt Iranin, tha ai, duke vënë në dukje se Naftali Bennett, një ish-kryeministër, ka shtyrë prej kohësh prerjen e “kokës së oktapodit, jo vetëm të këmbëve”, siç janë Hamasi dhe Hezbollahu.
“Unë shoh pak interes që Irani të përshkallëzohet në këtë fazë,” tha zonja Maloney e Institutit Brookings, “sepse ata po arrijnë shumicën e interesave të tyre pa këtë.”
Por zyrtarët amerikanë thonë se Irani nuk ka kontroll operacional mbi shumë nga përfaqësuesit e tij dhe se intensiteti i sulmeve larg kufirit Liban-Izrael mund të jetë shkëndija për një konflikt më të madh.
Përfaqësuesit iranianë në Irak dhe Siri kanë kryer më shumë se 100 sulme të tilla, të cilat kanë sjellë kundërsulme të shkurtra kur shkaktuan viktima amerikane. Të enjten, një sulm raketor amerikan në Bagdad – një ngjarje e rrallë – vrau Mushtaq Jaëad Kazim al-Jaëari, një zëvendëskomandant i një milicie të mbështetur nga Irani, i cili ishte “i përfshirë në mënyrë aktive në planifikimin dhe kryerjen e sulmeve kundër personelit amerikan”, tha Pentagoni.
Kriza në Detin e Kuq
Pjesa e konfliktit me ndikimin më të menjëhershëm global është përqendruar në Detin e Kuq, ku forcat Houthi në Jemen, duke përdorur inteligjencën dhe armët iraniane, po synojnë ato që ata i quajnë “anijet izraelite”. Në fakt, ata duket se synojnë të gjitha anijet duke përdorur raketa të kalibruara që orientohen me anë të nxehtësisë që nuk mund të bëjnë dallimin midis objektivave dhe anijeve të shpejta që përdoren për të hipur dhe për të marrë nën kontroll cisternat.
Kur Marina e SHBA-së erdhi për të shpëtuar një anije mallrash Maersk të sulmuar fundjavën e kaluar, Houthi-t hapën zjarr ndaj helikopterëve të Marinës. Pilotët e marinës iu përgjigjën zjarrit dhe fundosën tre nga katër varkat Houthi, duke vrarë 10 militantë, raportuan Houthi.
Maersk, një nga transportuesit më të mëdhenj në botë, ka pezulluar të gjitha tranzitet përmes Detit të Kuq “për të ardhmen e parashikueshme”, që do të thotë se po kalon nëpër rrugën më të shpejtë midis Evropës dhe Azisë – Kanalit të Suezit. Kompanitë në mbarë botën, nga Ikea tek BP, tashmë po paralajmërojnë për vonesa në zinxhirin e furnizimit.
Uashingtoni ka mbledhur një koalicion kombesh për të mbrojtur anijet, por ai varet shumë nga prania detare amerikane. Dhe deri më tani Biden ka ngurruar të sulmojë Houthi-t në Jemen, por kjo duket se po ndryshon, thonë zyrtarët.
Shtetet e Bashkuara dhe 13 aleatë nënshkruan një deklaratë javën e kaluar duke dhënë atë që një zyrtar i administratës e quajti një “paralajmërim përfundimtar” për Houthit për të ndaluar “këto sulme të paligjshme dhe për të liruar anijet dhe ekuipazhet e ndaluar në mënyrë të paligjshme”. Deklarata nuk e përmendi Iranin.
Pentagoni po përpunon planet se si të godasë vendet e nisjes së Houthi-ve në Jemen dhe një lloj sulmi ndaj aseteve të Houthi-ve në Jemen ka të ngjarë sapo të ketë një sulm tjetër, sugjerojnë zyrtarët, si një paralajmërim i mprehtë për të rivendosur frenimin.
“Në këtë pikë nevojitet një përgjigje e rëndësishme ushtarake kundër rebelëve Houthi, të cilët janë me të vërtetë piratë iranianë”, tha James G. Stavridis, një admiral në pension.
“Përvoja jonë me piratët somalezë vite më parë tregon se nuk mund të luash vetëm mbrojtje; ju duhet të dilni në breg për të zgjidhur një problem si ky. Kjo është mënyra e vetme që Irani të marrë mesazhin.”
“Ideja se ne thjesht do patrullojmë Detin e Kuq, me madhësinë e Kalifornisë, me një “gjysmë duzine makina policie – anijet tona atje – është jo i arsyeshëm,” tha ai.
Biden përballet me zgjedhje të vështira. Ai u tërhoq nga Lindja e Mesme për t’u përqendruar në konkurrimin dhe frenimin e Kinës. Tani ai po përthithet përsëri në rajonin e trazuar.
SHBA-ja ka ndërtuar një matricë parandalimi, duke sinjalizuar se nuk është e interesuar për një luftë rajonale, por është e gatshme të ndërhyjë në përgjigje të provokimit të Iranit”, tha Hugh Lovatt, një ekspert i Lindjes së Mesme për Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë. Por prania e transportuesve dhe trupave amerikane e bën Uashingtonin më të ekspozuar, tha ai.
“Kjo matricë e parandalimit mund të jetë një nxitës i përshkallëzimit.”
Mbi të gjitha këto konflikte të mundshme është e ardhmja e programit bërthamor të Iranit, me potencialin e tij afatgjatë për përplasje të drejtpërdrejtë me Perëndimin.
Vitet e negociatave diplomatike, veprimet e fshehta për të çaktivizuar centrifugat bërthamore të Iranit dhe vrasjet izraelite të shkencëtarëve iranianë janë përqendruar në një qëllim: zgjatjen e kohës që do t’i duhej Iranit për të mbledhur karburantin për një bombë. Kur u arrit marrëveshja e vitit 2015, administrata e Obamës festoi arritjen e saj më të madhe – ai afat kohor, pretendoi ajo, ishte më shumë se një vit.
Sot, siç vuri në dukje Rivière, tani ambasadori i Francës në OKB, “po flasim për disa javë apo më shumë”, një gjendje që në vitet e mëparshme pothuajse me siguri do të kishte shkaktuar një krizë.
Administrata Biden ka thënë pak, zyrtarët pranojnë kur flasin në mënyrë anonime se mundësitë janë të kufizuara. Me Iranin që furnizon Rusinë me armë dhe i shet naftë Kinës, nuk ka asnjë mundësi për veprim të Këshillit të Sigurimit.
Dhe ndihmësit e Biden kanë hequr dorë nga interesi për të ringjallur marrëveshjen e vitit 2015, sepse ajo tani është e vjetëruar. Siç u negociua fillimisht, ai do i lejonte Iranit të prodhojë aq karburant sa dëshiron duke filluar nga viti 2030.
“Irani po pasurohet e po pasurin uranium sepse mundet,” tha znj. Maloney.
“Qëllimi i tyre ka qenë gjithmonë të përballen me presionin dhe t’i japin vetes mundësinë e një programi armësh.”
VINI RE: Ky material është pronësi inteletuale e NY Times
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani