Vendosni fjalën kyçe....

Spanja mund të rikthejë maskat në spitale


Qeveria e Spanjës propozoi një urdhër mbarëkombëtar për njerëzit që të mbajnë maska ​​në spitale dhe klinika shëndetësore të hënën ndërkohë Italia tha se normat e infeksionit të sëmundjeve të frymëmarrjes kishin shënuar një rekord, pasi gripi dhe Covid-i u përhapën në gjithë Evropën.

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve rekomandoi që njerëzit në kontinent të qëndrojnë në shtëpi nëse ndihen të sëmurë dhe të konsiderojnë mbajtjen e maskave në turma ose mjedise të kujdesit shëndetësor.

Ajo tha se evropianët duhet të ndjekin udhëzimet kombëtare për vaksinimin e grupeve të prekshme. Gripi tani po qarkullon në nivele më të larta se patogjenët e tjerë të zakonshëm të frymëmarrjes, përfshirë virusin Sars-CoV-2 që shkakton COVID-19, tha qendra.

Disa rajone spanjolle kanë urdhëruar tashmë pacientët, vizitorët dhe stafin në spitale të mbanin maska ​​javën e kaluar. Qeveria qendrore e Spanjës propozoi të hënën shtrirjen e kësaj kërkese në mbarë vendin, por udhëheqësit rajonalë përgjegjës për politikën shëndetësore deri më tani e kanë hedhur poshtë atë, me një vendim që pritet të mërkurën.

“Një gjë që ne e dimë se do kufizojë epidemitë dhe do mbrojë njerëzit e cenueshëm është maska,” tha ministrja e Shëndetësisë Monica Garcia në TVE.

“Është një masë e arsyeshme, e mbështetur shkencërisht dhe e pranuar gjerësisht nga publiku”.

Qeveria ka propozuar gjithashtu lejimin e njerëzve që të vetëdiagnostikojnë raste më të lehta dhe të marrin tre ditë pushim nga puna në vend që të kenë nevojë për një raport mjeku, tha Garcia.

Spanja ishte ndër vendet e fundit evropiane që hoqi kërkesat për të mbajtur maska ​​​​për fytyrën pas pandemisë Covid-19 ndërkohë që njerëzve iu tha që t’i mbanin ato në transportin publik deri në shkurt 2023 dhe në qendrat shëndetësore dhe farmacitë deri në korrik.