Vendosni fjalën kyçe....

Kush është bosi i drogës “Fito” dhe si e drejtonte kartelin nga “bunkeri privat” në Ekuador


José Adolfo Macías, i njohur gjerësisht si ‘Fito’ është personi që e zhyti Ekuadorin në një krizë kombëtare duke u arratisur të dielën nga burgu. Sipas mediave britanike ai është kreu i një prej grupeve të drogës më famëkeq në Amerikën Latine, të cilin e ka drejtuar nga pas hekurave.

44-vjeçari është lideri i kartelit Los Choneros i cili deri në vitet e fundit ishte pa dyshim banda më e madhe dhe më e frikshme e Ekuadorit, e akuzuar për vrasje dhe trafik droge.

Pavarësisht se ishte në burg që nga viti 2011, 44-vjeçari mori drejtimin e kartelit në vitin 2020 dhe që atëherë ka koordinuar aktivitetet e tij nga brenda “bunkerit të tij privat”.

Kjo ndodhi deri të dielën kur u zbulua se ishte arratisur. Zhdukja e tij bëri që presidenti ekuadorian Daniel Noboa të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme dhe shtetrrethimin, ndërsa autoritetet nisën gjuetinë për kriminelin.

Sakaq, kriminelë të shumtë ekuadorianë lëshuan një valë dhune hakmarrëse në të gjithë vendin duke sulmuar një stacion televiziv, ekzekutuar policië dhe roje burgu dhe kërcënuan se do të ekzekutonin civilët në vend nëse i shihnin në rrugë gjatë natës.

Në një përshkallëzim të mëtejshëm, Noboa urdhëroi operacione ushtarake për të ‘neutralizuar’ bandat kriminale, pasi vendi shpërtheu në atë që ai e quajti një ‘konflikt të armatosur të brendshëm’.

Për një kohë të gjatë, një strehë paqësore e vendosur midis eksportuesve kryesorë të kokainës, Kolumbisë dhe Perusë, Ekuadori ka parë shpërthimin e dhunës në vitet e fundit ndërsa bandat rivale me lidhje me kartelet meksikane dhe kolumbiane luftojnë për kontroll.

Autoritetet ekuadoriane ia atribuojnë dhunën e paprecedentë një vakumi pushteti të shkaktuar nga vrasja në dhjetor 2020 e Jorge Zambrano, alias ‘Rasquiña’ ose ‘JL’, udhëheqësi i mëparshëm i kartelit Los Choneros para Fitos.

Që atëherë, Los Choneros tani i udhëhequr nga Fito dhe grupet e shkëputura Los Lobos dhe Los Tiguerones kanë luftuar mbi territorin dhe kontrollin, duke përfshirë brenda objekteve të burgut, ku të paktën 400 të burgosur kanë vdekur që nga viti 2021 në trazira.

Bandat kanë lidhje me kartelet nga Kolumbia dhe Meksika, duke përfshirë kartelet famëkeqe Sinaloa dhe Jalisco New Generation, të cilët janë gjithashtu në luftë.

Los Choneros u formua në vitin 2005 në qytetin Manta, kur kishte vetëm tetë anëtarë të moshës nga 18 deri në 30 vjeç.

Themeluesi dhe udhëheqësi i parë i saj ishte një burrë i quajtur Jorge Bismark Véliz España, i njohur si Chonero ose Teniente España, që thuhet se e kishte filluar si një tregtar droge.