Vendosni fjalën kyçe....

Miratohet me 47 vota pro statuti i ri i Akademisë së Shkencave, drejtorët e instituteve kalojnë nga kryesia


Asambleja e Akademisë së Shkencave, me vendimin qarkullues nr. 1  datë  9 janar 2024 ka miratuar statutin e ri të Akademisë. Pavarësisht debateve dhe argumenteve kundër nga Aurela Anastasi, Beqir Meta dhe Artan Fuga, ASH ka miratuar ndryshimet e propozuara nga kryesia, në një kapitull të tërë që ka të bëjë me integrimin e Instituteve albanologjike në Akademinë e Shkencave pas Mbylljes së Akademisë Albanologjike.

Sipas BW me pjesëmarrjen në votim të 51 anëtarëve (nga 45 gjithsej) me 47 vota pro, 3 kundra, 1 abstenim, miratoi gjithë përmbajtjen e Kreut VI, Shtesë në Statut,  hartuar nga Kryesia e ASHSH, per institutet e qendrat.

Vendimi ngarkon kryesinë të ndjekë hartimin e projekt-rregulloreve të instituteve / qendrave të përhershme dhe të reflektojë në kreun-shtesë në Statut mendimet e vërejtjet e drejtuesve dhe këshillave shkencore të tyre si dhe të anëtarëve të Asamblesë, deri në muajin tetor 2024, për t’ia paraqitur për miratim përfundimtar asaj.

Sipas statutit të propozuar, “Zgjedhjet e drejtuesve të instituteve dhe të qendrave kërkimore- shkencore sipas këtij statuti bëhen në fund të vitit 2024. Këshillat shkencorë të përkohshëm deri në zgjedhjet e reja dhe drejtorët caktohen nga Kryesia e AShSh-së. Anëtarët e zgjedhur të këshillave shkencorë të deritanishëm vazhdojnë të jenë anëtarë të këshillave shkencorë përkatës.

“Drejtuesi i institutit / qendrës duhet të ketë të paktën kategorinë Mjeshtër kërkimesh. Ai zgjidhet / emërohet për një mandat 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhje ose riemërimi vetëm një herë. Drejtuesi i institutit është përfaqësuesi ligjor i tij dhe drejton këshillin shkencor” thuhet në statutin e ri.

Po ashtu, zgjedhja e drejtorëve të instituteve bëhet me votim të drejtpërdrejtë e të fshehtë nga trupa zgjedhore e përbërë nga punonjësit kërkimorë- shkencorë e anëtarët e komisionit të përhershëm përkatës. 5 Procedura me të hollësishme përcaktohen me nënakt të veçantë. 

Kandidati i zgjedhur emërohet nga Kryesia e ASHSH. Për qendrat, si rregull, drejtuesi zgjidhet nga Kryesia e ASHSH, me propozim të bordit shkencor të qendrës. Për rastin kur qendrat që kanë këshill shkencor të përbashkët me një institut/qendër tjetër, zgjedhja bëhet si për drejtuesit e instituteve.

Këto pika janë kundërshtuar nga Beqir Meta dhe Aurela Anastasi.

“Zgjedhja nga Kryesia e ASH përbën ndërhyrje, kontroll jo të nevojshëm dhe cenim të hapur të autonomisë së instituteve si dhe krijon premisa për cenim të lirisë akademike. Për zgjedhjen e Këshillave shkencore mendoj të ruhet praktika e deritanishme e zgjedhjes së tyre me votën e studiuesve të instituteve pasi është përvoja më e mirë, më e përparuar dhe më demokratike dhe ne nuk kemi arsye për t’u kthyer pas në këtë drejtim” shprehej Beqir Meta.

Nga ana e saj Aurela Anastasi vërente ajo se statuti parashikon pjesëmarrjen e komisioneve të saj për zgjedhjen e drejtuesve, por a ka nevojë të vendosen kritere të tjera për mosndërhyrje në lirinë akademike? 

Dispozitat kalimtare meritojnë gjithashtu një vëmendje të veçantë pohonte ajo dhe duhet të rishikohen duke i dhënë peshë shqetësimit sa i takon zgjedhjeve të reja në fund të vitit 2024, pasi ky parashikim shkel parimin e mandatit të organeve ekzistuese. A ka një arsye objektive për këtë, pyeste Anastasi.