Vendosni fjalën kyçe....

Ngacmonte koleget dhe punonjëset me mesazhe, FIFA pezullon Mark Overmars


Mark Overmars do të jetë i detyruar që të qëndrojë larg botës së futbollit deri në nëntorin e këtij viti. Ish-futbollisti i njohur i klubeve si Ajaks, Barcelona e Arsenal, tashmë nuk do të mund të kryejë detyrën e tij si drejtor sportiv pasi FIFA ka bërë botëror pezullimin që i ishte dhënë nga Federata Holandeze.

Një vit më parë, Overmars u akuzua nga kolege dhe punonjëse të klubit të Ajaksit, se i kishte ngacmuar me mesazhe seksiste. Situata u bë shumë problematike dhe Ajaksi e shkarkoi nga puna drjetorin sportiv i cili kishte ndërtuar një ekip të mbushur me talente premtues dhe që i garantonte klubit të ardhura të mëdha me shitjen e tyre.

Federata Holandeze më pas e dënoi me 2 vite pezullim, një nga të cilët i pezulluar, por kjo nuk e ndaloi Overmars që të niste punë në një shtet tjetër pas një muaji, Ai u bë drejtori sportiv i Antverpës dhe ishte pjesë e rrugëtimit të suksesshëm të klubit belg ku luan Arbnor Muja, i cili fitoi titullin kampion dhe luajti në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve.

Por Federata Holandeze e çoi çështjen në FIFA dhe kjo e fundit e ka kthyer në global pezullimin e Overmars. Kësisoj, ai nuk mund të ushtrojë detyrën e tij deri në fund të muajit nëntor të këtij viti, duke lënë menjëherë postin e tij te skuadra e Antverpës.