Zyrtarët e lartë suedezë u kanë kërkuar qytetarëve të vendit që të përgatiten për një luftë të mundshme, mes tensioneve në rritje me Moskën. Deklaratat u bënë në Konferencën Kombëtare Folk och Forsvar në Salen.
Në një fjalim, ministri i Jashtëm Tobias Billstrom përshëndeti anëtarësimin e pritshëm të vendit të tij në NATO si “ndryshimi më i madh në politikën suedeze të sigurisë në më shumë se 200 vjet”.
Billstrom paralajmëroi se “Rusia do përbëjë një kërcënim serioz për sigurinë e Suedisë dhe Evropës për të ardhmen e parashikueshme”. Ai shtoi se Stokholmi “duhet të jetë realist dhe të supozojë dhe të jetë i përgatitur për një konfrontim të zgjatur”.
Duke i bërë jehonë ddeklaratës, ministri i Mbrojtjes Pal Jonson tha, “lufta mund të vijë edhe tek ne”, duke pretenduar se Ukraina po vepron si “mburoja e Evropës” në konfliktin me Rusinë.
Vitin e kaluar, Suedia hoqi dorë nga politika e saj e asnjanësisë në favor të anëtarësimit në NATO, duke përmendur operacionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë, i cili filloi në shkurt 2022. Shteti fqinj i Finlandës zgjodhi të njëjtën gjë, duke iu bashkuar NATO-s në prill 2023.
Kryeministri Ulf Kristersson njoftoi së fundmi se 800 ushtarë suedezë do të vendosen në Letoni vitin e ardhshëm për të përforcuar 2000 trupat e udhëhequra nga Kanadaja të vendosura atje.
Duke folur për rolin e ardhshëm të vendit të tij në NATO në të njëjtën konferencë vjetore të vitit të kaluar, Kristersson tha se “pasja e armëve bërthamore në territorin tonë në kohë paqeje është në diskutim”.