Vendosni fjalën kyçe....

Sekretari i jashtëm britanik, “Durimi ynë duhet të ketë kufi” në raport me Serbinë


Sekretari i jashtëm britanik David Cameron deklaroi të martën se qeveria britanike është e pakënaqur me qëndrimet e Serbisë ndaj Kosovës.

Në një raportim para anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme të parlamentit britanik, zoti Cameron, i cili vizitoi Kosovën javën e kaluar, tha se qeveria e tij është e përkushtuar që Serbisë t’i mundësohet integrimi evropian, por shtoi se sulmi i grupit të armatosur serb në pjesën veriore të Kosovës në muajin shtator, një ndër incidentet më të rënda në Kosovë, “paraqiti një rrezik të madh” për sigurinë e rajonit.

“Nuk e kemi ndryshuar qëndrimin që t’i japim Serbisë mundësinë të ketë të ardhme euroatlantike. Nuk e kemi ndryshuar qëndrimin se nëse Serbia e do këtë rrugë, asaj do t’i ofrohet kjo e ardhme,” deklaroi zoti Cameron. “Por ndjej një pakënaqësi në rritje për mënyrën si po sillet (Serbia), që po bën këto gjëra dhe duhet të jemi të qartë për këtë.”

Ai deklaroi se nuk mund të thotë nëse Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë të njejtin mendim, por theksoi se në bazë të bisedave që ka patur “kam përshtypjen se ekziston pakënaqësi, pasi e kuptojnë se Banjska ishte një rrezik i madh.”

Sekretari Cameron, vendi i të cilit ka 600 forca paqeruajtëse në Kosovë, i bëri këto deklarata në përgjigje të pyetjeve të deputetes britanike Alicia Kearns, e cila kërkoi të dinte qëndrimin e Britanisë së Madhe për sulmin në Banjskë.

“Mendoj se është e rëndësishme për Britaninë e Madhe të shpjegojë se çfarë ka ndodhur atë ditë, pasi Vuçiçi mohon atë që ka ndodhur atë ditë. NATO-ja i shpërfilli shqetësimet e mia kur theksova vitin e kaluar se armët po futeshin ilegalisht në Kosovë dhe po fshiheshin në kisha,” tha gjatë debatit deputetja Kearns, duke e pyetur zotin Cameron nëse ishte e mundur që “Bashkimi Evropian dhe SHBA të ndryshonin qëndrim për të patur një pozicion më të drejt ndaj Kosovës.”

Zoti Cameron tha se mendon se “qëndrimi i Perëndimit, sa i përket Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, është hartuar para agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe duhet të mendojmë shumë se çfarë ka ndryshuar.”

“Rusia dëshiron ta destablizojë Ballkanin, dëshiron ta bëjë këtë përmes aleatëve të saj, përfshirë Serbinë dhe dëshiron t’i bëjë këto shtete, përfshirë Moldavinë, më pak të sigurta. Ne duhet të jemi të gatshëm që ta luftojmë një përpjekje të tillë, deklaroi ai.

Ai shtoi se politika e Britanisë së Madhe në rajon duhet të vazhdojë “të jetë e fortë dhe realiste.”

“Durimi ynë duhet të ketë një kufi,” deklaroi zoti Cameron.

Pas sulmit në Banjskë më 24 shtator diplomatët perëndimorë u vunë në përpjekje të reja për të përshpejtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve mes shqetësimeve për qëndrueshmërinë në rajon.

Nga Qeveria e Kosovës kërkohet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Qeverisë së Serbisë të përmbushë detyrimet që çojnë drejt njohjes de fakto të Kosovës.

Beogradi ka theksuar se nuk do të zbatojë asgjë që çon në njohjen e Kosovës.

Ndërkohë dyja palët kanë lejuar lëvizjen e lirë të makinave, pas muajsh përplasjesh që çuan në thellimin e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.

Me 25 dhjetor Beogradi vendosi të lejojë lëvizjen e makinave me targa të Kosovës duke vendosur afishe në vendkalimet kufitare në të cilat thuhet se mundësimi i kalimit të kufirit me targa RKS bëhet “për arsye krejtësisht praktike”, që liria e lëvizjes të bëhet më e lehtë, dhe nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së “Kosovës”.

Qeveria e Kosovës po ashtu më 4 janar miratoi vendimin për largimin e regjimit të letër ngjitëseve për makinat me targa të Serbisë./VOA