Vendosni fjalën kyçe....

Konferenca e Bashës nxit përplasje, replikat në distancë me Bardhin


Kryetari i Partisë Demokratike zyrtare Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme një konferencë me gazetarët, ku foli për zhvillimet dhe synimet e partisë për vitin 2024.

Gjatë saj ai u pyet lidhur me rikthimin e tij në daljet publike vetëm pas arrestimit të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Sipas fjalës së tij në këtë periudhë demokratët ishin në një telenovelë ku aktor, regjisor dhe teleshikues ishin vetë politikanët e opozitës, ndërsa theksoi se grupimi i tij nuk ishte pjesë e kësaj të fundit.

Në lidhje me këto deklarata kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi pati një reagim. Bardhi e cilësoi Bashën si personin i cili e mbyti opozitën dhe e kaloi nga dështimi në dështim.

Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi thekson se Basha e la për 12 vjet Partinë Demokratike në opozitës dhe se sot shpalli të vdekur 60 mijë anëtarë të partisë.

Gjithashtu Bardhi theksoi se koha e zgjimit të opozitës me telekomandim ka marrë fund prej kohësh.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

“Të të bëjë manual sesi bëhet opozita përgjegjësi kyç që e la partinë 12 vjet në opozitë, që shpalli sot të vdekur 60 mijë anëtarë të partisë vetëm se shprehin kundërshtinë për të kaluar nga dështimi në dështim, deputeti opozitar që ka nga 21 Mars 2022 që nuk vjen në Kuvend, që ska bërë asnjë kallëzim në prokurori kundër Qeverisë dhe asnjë denoncim ndaj Qeverisë, që ka 5 muaj që vjen vërdall si memec pa thënë asgjë mbi realitetin politik, edhe pse vendi po rrëshket në autoritarizëm, është për të qeshur dhe për të qarë njëkohësisht.

Koha e zgjimit të opozitës me telekomandim ka marrë fund prej kohësh. Opozita është në betejë me regjimin e Edi Ramës dhe beteja është e vetmja formë e përballjes me një regjim. Leksionet boshe mbi opozitën kemi 12 vjet që i dëgjojmë dhe realiteti kur zgjohesh nga ëndrra e gjumit të thellë është që Rama vazhdon të jetë Kryeministër! Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe kjo mund të arrihet vetëm duke qenë më së pari të vërtetë”.

Ndërkohë një kundërpërgjigje të shpejtë i ka kthyer edhe kryetari i PD-së zyrtare, ku është shprehur se reagimi i Bardhit është pjesë e lojës që e mban konfliktin brenda PD dhe opozitës, ndërsa theksoi se nuk do të bëhet pjesë e kësaj të fundit.

Ai u shpreh se qëndrime të tilla i pëlqejnë kryeministrit Rama, ndërsa u shpreh se uron që gjuha e urrejtjes në politikë të përfundojë.

Reagimi i plotë i Bashës

“Kjo është ilustrim i asaj që thashë se nuk do ndodhë më.  Nuk do bëhemi pjesë e një loje që e mban konfliktin brenda PD ose opozitës.

Kjo është loja e Edi Ramës, janë apo jo të vetëdijshëm. Qëndrime të tilla i dashuron kryeministri i suksesit global që ka gjysmën e kabintetit në burg.

Unë do të dëshiroja që kjo gjuhë të merrte fund.
Do ia uroja të parit këtë arkitektit që kur ia drejtonte kundërshtarit na pëlqente shumë, por kur na e drejtoi ne e pamë sa e gabuar ishte, e jo më të tjerëve që përpiqen më kot t’i ngjajnë atij.

Thirrja ime është ndaj çdokujt, të heqin dorë nga kjo gjuhë e vjetër. Nuk e meritojnë opozitarët dhe shqiptarët”, u shpreh ai.