Dhuna shpërtheu në gjithë Ekuadorin këtë javë pasi një udhëheqës i njohur i një karteli droge u arratis nga burgu. U raportuan shpërthime, plaçkitje, të shtëna me armë dhe djegie automjetesh, si dhe pati kryengritje në disa burgje.
Në qytetin më të madh, Guayaquil, persona të armatosur sulmuan një studio televizive gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë të martën.
Presidenti Daniel Noboa shpalli një gjendje të jashtëzakonshme 60-ditore, duke vendosur një shtetrrethim mbarëkombëtar dhe duke autorizuar ushtrinë të patrullojë rrugët dhe të marrë kontrollin e burgjeve.
Noboa dërgoi gjithashtu mijëra oficerë policie dhe personel ushtarak për të kërkuar kreun e arratisur të kartelit Adolfo Macías.
Çfarë duhet ditur deri tani
Deri të martën, dhuna në Guayaquil ka lënë të paktën tetë të vdekur, tha kryebashkiaku Aquiles Álvarez në një konferencë shtypi. Dyqanet, shkollat dhe zyrat qeveritare u mbyllën dhe rrugët në Guayaquil dhe kryeqytetin, Quito, u bllokuan nga trafiku ndërsa punëtorët përpiqeshin të ktheheshin në shtëpi.
Autoritetet thanë se një nga krerët e një karteli të madh droge ishte arratisur nga një burg ekuadorian, së bashku me të burgosur të tjerë.
Në një dekret presidencial, presidenti Noboa deklaroi se një konflikt i brendshëm i armatosur ishte duke u zhvilluar dhe urdhëroi ushtrinë të “asgjësonte” dy duzina bandash, të cilat ai i quajti organizata terroriste.
Çfarë ndodhi në stacionin televiziv?
Gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë të lajmeve nga TC Televisión në Guayaquil, disa persona të armatosur të maskuar sulmuan gazetarët. Ata i detyruan anëtarët e stafit të shtriheshin në tokë, duke i goditur dhe shkelmuar. Folësit dhe stafi tjetër u detyruan të shfaqeshin në një video duke i kërkuar presidentit të mos ndërhynte.
Një nga sulmuesit mund të dëgjohej duke thënë se donte të dërgonte një mesazh për pasojat e “ngatërrimit me mafiozët”. Por policia hyri përpara se ai të mund të lidhej me një mikrofon.
Policia më vonë tha se kishte arrestuar 13 persona, duke konfiskuar armë dhe eksplozivë dhe se të gjithë personat që ishin marrë peng ishin të sigurt.
Kush është Adolfo Macías?
Macías, i njohur më mirë si “Fito”, është një nga kriminelët më famëkeq të vendit. Ai është kreu i Los Choneros, që besohet se ka qenë një nga bandat e para ekuadoriane që ka krijuar lidhje me kartelet meksikane të drogës.
Të dielën, gjatë një kontrolli rutinë nëpër qeli për mallra kontrabandë, ai u gjet i zhdukur nga qelia e tij në një burg të mbushur me njerëz në Guayaquil, ku ai kishte vuajtur një dënim 34-vjeçar për trafik droge dhe krime të tjera. Ai ishte arratisur nga burgu edhe një herë më parë, në vitin 2013.
Ashtu si krerët e tjerë të bandave në Ekuador, Macías e kishte drejtuar sipërmarrjen e tij kriminale nga pas hekurave. Disa ekspertë të sigurisë besojnë se një e katërta e burgjeve të vendit kontrollohen nga bandat.
Qeveria kohët e fundit kishte urdhëruar që Macías dhe të dënuar të tjerë të profilit të lartë të transferoheshin në një strukturë të sigurisë maksimale
Sa të fuqishme janë bandat në Ekuador?
Lufta e bandave filloi të rrënonte Ekuadorin, një vend me 18 milionë banorë, vitet e fundit. Gjatë 5 viteve të fundit, trafikantët e huaj të drogës kanë bashkuar forcat me bandat si Los Choneros për të ndërtuar një industri të fuqishme të trafikut të drogës në gjithë vendin, duke infiltruar në qeveri, duke zhvatur biznese dhe duke vrarë ekuadorianët që përpiqen t’i marrin ato.
Fernando Villavicencio, një kandidat presidencial që u vra në gusht, tha disa ditë para vdekjes së tij se kishte marrë kërcënime të shumta nga anëtarët e Los Choneros. Ai kishte folur hapur për lidhjet midis krimit të organizuar dhe zyrtarëve qeveritarë.
Macías u transferua në një krah të sigurisë maksimale pas atentatit, por avokatët e tij arritën me sukses që ai të kthehej në qelinë nga e cila kishte drejtuar Los Choneros.
Macías festoi duke publikuar një videoklip. Presidenti Noboa, i cili fitoi zgjedhjet dhe mori detyrën në nëntor, është zotuar se do godasë bandat dhe do rivendosë sigurinë në Ekuador.
“Ka ikur koha kur të dënuarit për trafik droge, kartelet dhe krimi i organizuar i diktojnë qeverisë se çfarë të bëjë,” tha ai në një deklaratë video të hënën.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NY Times
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani