Shtetet e Bashkuara kanë pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketa kundërtanke, Javelin, i tha ambasadori amerikan në Beograd, Christofer Hill, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë takimit të tyre në Beograd më 11 janar.
Departamenti amerikan i Shtetit do ta dërgojë kërkesën e Kosovës në Kongresin amerikan, me çka fillon procedura zyrtare, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Presidenca serbe.
Vuçiç tha se ky lajm është një zhgënjim i madh, por që Serbia, së bashku me SHBA-në do të punojnë në ruajtjen e raporteve serbo-amerikane.
“Për ne, është shumë e rëndësishme që paqja në rajon të mos prishet dhe që Serbia të vazhdojë të veprojë në mënyrë të përgjegjshme dhe të kontribuojë në stabilitetin në Ballkan”, tha presidenti serb.
Përmes një postimi në profilin e Vuçiçit në Instagram, u tha se në takim me Hillin u diskutua për situatën në Kosovë, për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për pozicionin ndërkombëtar të Serbisë.
“Bisedë e hapur me ambasadorin Christopher Hill lidhur me zhvillimin e mëtejmë të raporteve politike dhe ekonomike mes Serbisë dhe SHBA-së”, u tha në njoftim.
Ky ishte takimi i parë mes Hillit dhe Vuçiçit pasi Serbia mbajti zgjedhjet parlamentare më 17 dhjetor, pas së cilave ambasadori amerikan, përmes një video të publikuar në rrjetet sociale, kërkoi që të hetohen parregullsitë e evidentuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë gjatë procesit zgjedhor.
Në këto zgjedhje, Partia Progresive Serbe (SNS) e Vuçiçit fitoi shumicën për formimin e Qeverisë së re.