Vendosni fjalën kyçe....

Zëvendësimi i TRIBOR-it me yield-in e Bonove, ul normën e interesit për huamarrësit e prekur nga ndryshimi


Në gusht të vitit të kaluar, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që llogaritja dhe publikimi i indekseve të tregut ndërbankar të parasë, TRIBID dhe TRIBOR, do të ndërpritet afërsisht një vit pas marrjes së vendimit, në 1 gusht 2024.

Ndërprerja e llogaritjes së njërit prej treguesve, TRIBOR (interesi i ofruar për vendosjen e depozitave mes bankave tregtare), do të ketë një efekt edhe për disa huamarrës në Lekë të sektorit bankar, siç kujtoi Banka e Shqipërisë me një njoftim të ditës së martë.

Treguesi referues TRIBOR 12-mujor është përdorur në vitet e shkruara nga banka të veçanta (kryesisht Raiffeisen Bank Albania) në kuotimin e kredive me norma të ndryshueshme interesi.

Duke qenë se TRIBOR 12-mujor nuk do të llogaritet dhe nuk do të publikohet më që prej muajit gusht, ky tregues do të zëvendësohet në kontratat ekzistuese të kredisë me yield-in e bonove 12-mujore të thesarit, që në fakt ka qenë instrumenti benchmark më gjerësisht i përdorur për kreditë në Lekë në 20 vitet e fundit.

Zëvendësimi i indeksit benchmark pritet të ketë edhe një efekt financiar për huamarrësit, sepse TRIBORI 12-mujor ka qenë historikisht dhe vazhdon të jetë në nivel më të lartë se yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kuotimi i TRIBOR 12-mujor më datë 10 janar 2024 ishte 4.2%. Ndërkohë, sipas rezultateve të ankandit të fundit, yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore ishte 3.4%. Një huamarrës që do të paraqitej në bankë për të bërë ndryshimin e kontratës së kredisë sot do të përfitonte një normë më të ulët interesi nga ndryshimi i treguesit referues, me 0.8 pikë përqindje më pak.

Në krahun, tjetër ky ndryshim do të ketë ndikim negativ në të ardhurat nga interesi për bankën huadhënëse.

Në përgjithësi, bankat që kanë përdorur TRIBOR si tregues benchmark kanë pasur përfitime të konsiderueshme, sepse TRIBOR ka qenë në vijimësi më i lartë krahasuar me yield-in e bonove të thesarit.

Mes fundit të vitit 2022 dhe fillimit të vitit 2023, TRIBORI 12-mujor arriti deri në 6.3%, ndërkohë që yield-et e bonove 12-mujore në pikën më të lartë të dekadës së fundit (nëntor 2022) arritën deri në 5.8%.

Vitin e kaluar, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ndërpresë llogaritjen e treguesve TRIBID dhe TRIBOR, duke qenë se këto norma përllogariten bazuar në kuotimet e bankave dhe jo në veprime konkrete të tregut ndërbankar.

Për shkak të volumeve të papërfillshme të veprimeve në tregun ndërbankar në Shqipëri, këta tregues nuk ishin shumë të besueshëm si benchmark për ndërtimin e normave të interesit të produkteve të tjera financiare.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor