Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i Tabakut: Rënia e konsumit nga taksa e inflacioni socialist, shqiptarët janë varfëruar


Deputetja e PD-së Jorida Tabaku denoncoi qeverinë Rama për varfërimin e shqiptarëve përmes rritjes së taksave e inflacionit.

Ajo deklaroi se në vend ka rënie të konsumit pikërisht në muajt e pikut e kjo për shkak të rritjes së çmimeve, përqendrimit të ekonomisë në pak duar e rritjes së taksave.

“Publikimi i të dhënave nga INSTAT në lidhje me konsumin e popullatës dhe rënia me 0.53% e konsumit të popullatës tregon pikërisht atë që kemi vite që e themi: inflacioni socialist dhe taksat socialiste kanë varfëruar familjet shqiptare. Rënia e konsumit me 0.53% pikërisht në muajt e pikut, tregon që sot familjet shqiptare konsumojnë shumë pak, që sot janë çmimet e rritura, përqendrimi i ekonomisë në pak duar, rritja e taksave po prodhojnë një rritje të çmimeve dhe një varfërim të qytetarëve. Rritja me 7% e çmimeve të produkteve të shportës: të miellit, të vajit, të bukës dhe ushqimeve tregon pikërisht faktin që familjet shqiptare janë në ngërç.” – tha Tabaku.

Demokratja shtoi më tej se vendosja e TVSH-së në produktet bujqësore ka rritur zinxhir çmimet ndërkohë që ndryshimet në qeveri shërbejnë vetëm për kozmetikë e jo për ndryshimin e gjendjes së vështirë.

“Vendosja e TVSH-së me produktet bujqësore ka rritur çmimet zinxhir dhe ka bërë që sot familjet shqiptare të konsumojnë më pak, por nga ana tjetër struktura që ka sot ekonomia shqiptare dhe shpërndarja e pasurisë në pak duar po rezulton në rënie të konsumit dhe varfërim të shoqërisë shqiptare si dhe në më pak blerje dhe sigurisht vendimet e 10 viteve që reflektojnë pikërisht në xhepat e qytetarëve shqiptarë . Kjo do duhet të shërbente për qeverinë si një mënyrë për të ndryshuar, do duhet të shërbente si një mënyrë që mos të merren as me kozmetikë, as me makeup, as me ndërrim qeverish, as me ndryshim ministrish por të merreshin me atë që sot është thelbi: mbijetesa e familjeve shqiptare. Rënia e konsumit reflekton pikërisht këtë, edhe shpopullimin masiv dhe inflacionin socialist, taksat socialiste por mbi të gjitha realitetin që familjet shqiptare jetojnë sot.” – shtoi Tabaku.