Vendosni fjalën kyçe....

FMN-ja “i çel rubinetin” Argjentinës, i zhbllokon fondin 4.7 miliardë dollarë


Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka rënë dakord të zhbllokojë 4.7 miliardë dollarë për Argjentinën si pjesë e një plani të ristrukturimit të borxhit edhe pse vendi humbi objektivat në lidhje me programin e tij të kredisë prej 43 miliardë dollarësh, njoftoi fondi të mërkurën.

Rezervat valutore të Argjentinës pothuajse janë zhdukur në mes të krizës më të keqe ekonomike në 20 vjet. Ekonomia e tretë më e madhe e Amerikës Latine po përballet me sfida të rënda pas dekadash borxhi dhe keqmenaxhimi financiar, me inflacionin që shkon në 200% nga viti në vit dhe 40% e argjentinasve që jetojnë në varfëri.

“Administrata e re tashmë po zbaton një plan ambicioz stabilizimi, që do çojë në një forcim të madh fiskal, së bashku me veprimet për të rindërtuar rezervat, për të korrigjuar mospërputhjet relative të çmimeve, për të forcuar ekuilibrin e bankës qendrore dhe për të krijuar një treg më të thjeshtë, të bazuar në rregulla e të orientuar te ekonomia”, thuhet në një deklaratë të FMN-së.

Marrëveshja pritet të miratohet nga bordi ekzekutiv i FMN-së në javët e ardhshme.

Ministri i ri i ekonomisë i Argjentinës, Luis Caputo, një ish-tregtar i Wall Street, shpjegoi se marrëveshja nuk përfaqësonte një marrëveshje të re, por theksoi se FMN-ja kishte shprehur gatishmërinë për të ofruar një program të ri borxhi dhe fonde shtesë.

Me këtë marrëveshje, presidenti i ri i Argjentinës, Javier Milei, i cili e përshkruan veten si një anarko-kapitalist, e vendos përsëri në rrugën e duhur një paketë shpëtimi prej 44 miliardë dollarësh me FMN-në që daton në 2018. Milei filloi zbatimin e “terapisë së shokut” në ekonomi menjëherë pas betimit në dhjetor, duke paraqitur një paketë reformash gjithëpërfshirëse në Kongres.

Ndër masat e tjera, ai kërkoi të privatizonte më shumë se 40 kompani publike në një përpjekje për të “çmontuar sasinë e madhe të rregulloreve që kanë penguar” rritjen ekonomike.

Qeveria e re e Argjentinës njoftoi muajin e kaluar një zhvlerësim 54% të pesos kundrejt dollarit amerikan, shkurtime të subvencioneve të energjisë dhe transportit dhe një ngrirje të shpenzimeve për disa programe të mëdha shtetërore.

Masat shtrënguese të Mileit përfshijnë gjithashtu rritje taksash në një përpjekje për të arritur një suficit primar buxhetor këtë vit, anulimin e tenderëve për projektet e punëve publike dhe planet për të hequr nëntë ministri të qeverisë.