Vendosni fjalën kyçe....

Kërcënim me bombë në shtëpinë e gjykatësit që shqyrton çështjen ndaj Trump-it


Policia në Nju Jork i është përgjigjur një kërcënimi me bombë kundër gjykatësit që mbikëqyr një çështje që akuzon ish-presidentin Donald Trump për mashtrim. Zyrtarët e gjykatës thonë se incidenti nuk do e vonojë padinë civile, e cila ka hyrë në pjesën përfundimtare.

Kërcënimi u bë vetëm disa orë përpara se gjyqi i mashtrimit të Trump të përfundonte të enjten në mëngjes, me Departamentin e Policisë së Qarkut Nassau që përshkruan një “incident” që synonte shtëpinë e gjyqtarit Arthur Engoron. Zëdhënësi i gjykatës Al Baker tha më vonë se episodi përfshinte një kërcënim me bombë.

“Ka pasur një kërcënim. Unë mund të konfirmoj një kërcënim me bombë”, tha Baker, cituar nga Associated Press.

“Për momentin ne po ecim përpara siç është planifikuar dhe procedurat gjyqësore dhe argumentet përfundimtare po shkojnë siç është planifikuar.”

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Nju Jorkut, e cila ngriti padinë civile shumë milionëshe në vitin 2022, konfirmoi gjithashtu se çështja do vijonte siç ishte planifikuar.

Padia akuzon kompaninë e ish-presidentit, për fryrje të rreme të vlerës së pasurive të saj të paluajtshme në mënyrë që të reduktojë taksat dhe faturat e sigurimeve. Trump dhe djemtë e tij Donald Jr. dhe Eric i kanë mohuar akuzat.

Kërcënimi me bombë i së enjtes erdhi në mes të argumenteve përmbyllëse në këtë rast, të cilat vetë Trump kishte shpresuar t’i jepte pjesërisht. Ish-presidenti e ka kritikuar vendimin si një urdhër “të turpshëm”, duke thënë se çështja duhet “të pushohet menjëherë”.

Trump po përballet gjithashtu me akuza lokale në Nju Jork lidhur me pagesat e supozuara të parave të heshtura për një yll të filmave porno, si dhe akuza federale për dokumente të qeverisë top-sekret dhe përfshirjen e tij të supozuar në trazirat e 6 janarit në Kapitolin e SHBA.

Ai është ish-presidenti i parë që përballet me një padi federale, por i ka hedhur poshtë të gjitha rastet si të motivuara politikisht, që synojnë të sabotojnë kandidimin e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.