Vendosni fjalën kyçe....

Policia greke arreston shtetasin shqiptar, i sekuestron 45 kg kokainë, armë e municion


Policia greke ka sekuestruar një sasi prej 45 kg drogë e llojit kokainë pasditen e së enjtes në një shtëpi në Koropi. Në pranga ka përfunduar shtetasi me origjinë shqiptare Leka Vaska.

Sipas policisë greke, droga ishte e ndarë në 36 pako të standardizuara që kishin logo të ndryshme nga jashtë dhe brenda për të identifikuar sasitë në fjalë.

Gjithashtu, gjatë operacioni u sekuestruan edhe një pushkë ushtarake tip kallashnikov, pistoletë me 2 karikatorë dhe 149 fishekë të kalibrave të ndryshëm. Droga u gjet e fshehur në dhomën e kaldajës dhe në një magazinë.

Mediat greke shkruajnë se 45-vjeçari shqiptar ishte aktiv në trafikun e kokainës në rajonin e Atikës dhe kryesisht në Atikën Perëndimore dhe Periferinë Veriore. Ai u ndalua fillimisht nga policia me një pako me 17.5 gramë kokainë.

Në njoftimin përkatës thuhet se zbardhja e aktivitetit të qarkut të trafikut të kokainës dhe ndërprerja e aktivitetit të tyre ka ardhur si rezultat i një hetimi sistematik, analizës dhe kryqëzimit të informacionit, vëzhgimit fizik dhe verifikimit të vendeve dhe detajeve të individëve.