Vendosni fjalën kyçe....

Studentët grekë protestojnë kundër planit të qeverisë për universitetet private, përplasen me policinë


Mijëra studentë grekë u mblodhën në Athinë dhe qytete të tjera të enjten për të protestuar kundër reformave të planifikuara arsimore që do lejonin futjen e universiteteve private në vend.

Qeveria konservatore e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, i cili fitoi një mandat të dytë vitin e kaluar, pritet të paraqesë një projektligj në parlament këtë muaj që do të lejonte universitetet private të veprojnë brenda Greqisë.

Qeveria ka thënë se do funksionojnë si degë të universiteteve të huaja. Shumë besojnë se masa do zhvlerësojë diplomat nga universitetet publike të Greqisë dhe se sistemi privat do përjashtojë ata që nuk mund ta përballojnë atë.

Ndryshimi do “shkëpusë universitetin publik siç e njohim ne”, tha studentja Christina Iliopoulou e cila iu bashkua protestës në Athinë.

“Do shkatërrojë jetën tonë të përditshme për sa i përket mënyrës sesi do të mund të gjejmë një punë pasi të diplomohemi.”

Protestat ishin kryesisht paqësore, por pati një përplasje të shkurtër në Athinë midis protestuesve dhe policisë, e cila hodhi gaz lotsjellës.

Universitetet në Greqi janë institucione të financuara nga qeveria ku frekuentimi ka qenë falas për dekada.

Por Greqia ka zbatuar një sërë reformash arsimore në të kaluarën, pavarësisht kundërshtimit të ashpër nga studentët dhe stafi.

Qeveria, e cila gëzon një shumicë parlamentare, ka argumentuar se reforma do forconte ekonominë duke joshur disa prej rreth 40,000 studentëve që tani studiojnë jashtë shtetit dhe do kthente ikjen e trurit të akademikëve të shkaktuar nga kriza e borxhit 2010-2018.

Kurrikula e universiteteve private do ndiqte standarde shumë strikte akademike, tha qeveria javën e kaluar, duke shtuar se reforma do çlironte gjithashtu universitetet publike nga burokracia dhe do nxiste vetëqeverisjen e tyre.