Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, po viziton Ukrainën të premten për të takuar homologun e tij, Volodymyr Zelenskiy, pasi Britania e Madhe njoftoi se do të ofrojë ndihmë të mëtejshme ushtarake për vendin gjatë vitit të ardhshëm.
Mbretëria e Bashkuar ka qenë një nga mbështetësit më të vendosur të Kievit që nga pushtimi i Rusisë dhe Sunak tha se Britania do të rrisë mbështetjen e saj në vitin e ardhshëm financiar në 2.5 miliardë paund, një rritje prej 200 milionë paund nga dy vitet e mëparshme.
Financimi shtesë do të ndihmonte Ukrainën të paguajë për dronët e rinj ushtarakë, duke përfshirë mbikëqyrjen, goditjet me rreze të gjatë dhe dronët e detit, ku shumica e tyre pritet të prodhohen në Britani.
Dokumenti, “Marrëveshja për bashkëpunimin e sigurisë ndërmjet Ukrainës dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut” është nënshkruar nga krerët e dy vendeve pas negociatave në Kiev.
“Nëse garancitë e tilla do të ishin nënshkruar në vitin 1991, veçanërisht me Britaninë e Madhe, lufta as që do të kishte filluar”, tha Zelensky.
Vizita e Sunak vjen në një moment të tensionuar pasi Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA nisën sulme ajrore dhe raketore në zonat e kontrolluara nga Houthi të Jemenit, me qëllim ndalimin e sulmeve ndaj anijeve në Detin e Kuq.
Zelenskiy u ka bërë presion aleatëve në perëndim që t’i ofrojnë Ukrainës më shumë mbështetje kundër forcave ruse, mes frikës se interesi për luftën po zbehet ndërsa lufta zvarritet.
Kriza në Lindjen e Mesme teksa Izraeli vazhdon të bombardojë Gazën ka larguar gjithashtu vëmendjen globale nga pushtimi i vendit nga presidenti rus Vladimir Putin. Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA, me mbështetjen e aleatëve të Australisë, Bahreinit, Kanadasë dhe Holandës, goditën të paktën 60 objektiva në 16 vende rreth Jemenit gjatë natës të së enjtes.
Duke njoftuar vizitën e tij në Kiev, Sunak tha: “Për dy vjet, Ukraina ka luftuar me guxim të madh për të zmbrapsur një pushtim brutal rus. Ata janë ende duke luftuar, të palëkundur në vendosmërinë e tyre për të mbrojtur vendin e tyre dhe për të mbrojtur parimet e lirisë dhe demokracisë.
“Unë jam këtu sot me një mesazh: Mbretëria e Bashkuar gjithashtu nuk do të lëkundet. Ne do të qëndrojmë me Ukrainën, në orët e saj më të errëta dhe në kohët më të mira që do të vijnë.”
Ish-ministri i mbrojtjes i Ukrainës, Andriy Zagorodnyuk e përshkroi masën britanike si një “punë të madhe”, në një kohë kur ndihma ushtarake nga SHBA – aleati më i rëndësishëm i Ukrainës – ishte tharë.
“Është një njoftim i madh, veçanërisht duke pasur parasysh ngrirjen që shohim aktualisht nga SHBA,” tha ai për The Guardian.
Londra i kishte ofruar tanke Kievit dhe inkurajoi furnizimin me avionë luftarakë F-16, tha Zagorodnyuk.
Zagorodnyuk tha se paketa përfshinte më shumë se 200 milion £ për “një gamë të tërë” mjetesh ajrore pa pilot (UAV): “Është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse kjo luftë ka të bëjë gjithnjë e më shumë me UAV-të. Ata luajnë një rol kritik.” Prodhuesit britanikë të dronëve do të jenë në gjendje të testojnë dizajne “inovative dhe konkurruese” në kushte reale në fushën e betejës,” sugjeroi ai.