Vendosni fjalën kyçe....

Turqia hakmerret për vrasjen e 9 ushtarëve, bombardon militantët kurdë në Irak dhe Siri


Turqia kreu sulme ajrore ndaj militantëve kurdë në shtetet fqinje, Irak dhe Siri, të shtunën, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Turqisë.

Sulmet u kryen një ditë pas një sulmi ndaj një baze ushtarake turke në Irak, ku u vranë nëntë ushtarë turq.

Turqia shpesh kryen sulme ajrore kundër caqeve në Siri dhe Irak, për të cilat beson se janë të lidhura me Partinë e Punëtorëve Kurdistan, apo PKK, një grup i ndaluar separatist kurd, i cili në vitet e ’80 e nisi një kryengritje kundër Turqisë.

Ministria e Mbrojtjes tha se avionët luftarakë turq i sulmuan caqet në Metina, Hakurk, Gara dhe Qandil në veri të Irakut, por nuk tregoi se cilat zona në Siri. Ajo tha se avionët e saj shkatërruan shpella, bunkerë, mburoja dhe objekte nafte “për t’i eliminuar sulmet terroriste kundër popullit dhe forcave tona të sigurisë… si dhe për ta garantuar sigurinë tonë kufitare”.

Gjatë sulmeve u “neutralizuan shumë militantë”, tha ajo.

Të premten mbrëma, sulmuesit tentuan të futën në një bazë ushtarake në veri të rajonit gjysmautonom kurd të Irakut, duke i vrarë pesë ushtarë. Katër ushtarë të tjerë vdiqën më vonë nga plagët e rënda. Ministria turke e Mbrojtjes tha se 15 militantë u vranë gjithashtu.

Kjo ngjarje nuk është komentuar nga PKK-ja, qeveria në Bagdad apo administrata e rajonit kurd.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, njoftoi se policia i ka arrestuar 113 të dyshuar për lidhje me PKK-në gjatë bastisjeve në 32 provinca turke.

PKK-ja, e cila ka baza në veri të Irakut, është shpallur organizatë terroriste nga aleatët perëndimorë të Turqisë, përfshirë nga Shtetet e Bashkuara.

dhjetëra mijëra njerëz kanë vdekur prej se nisi konflikti më 1984.

Turqia dhe SHBA-ja, megjithatë, nuk pajtohen për statusin e grupeve kurde në Siri, të cilat janë rreshtuar përkrah Uashingtonit në luftë kundër Shtetit Islamik në Siri, shkruan REL.