Presidenti Biden dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë po bëhen gjithnjë e më të irrituar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe kundërshtimin nga ana e tij të shumicës së kërkesave të fundit të administratës në lidhje me luftën në Gaza, i thanë Axios katër zyrtarë amerikanë me njohuri të drejtpërdrejta për këtë çështje.
Që nga sulmi i Hamasit të 7 tetorit, 100 ditë më parë, Biden i ka dhënë Izraelit mbështetjen e tij të plotë, me mbështetje të paparë ushtarake dhe diplomatike, edhe pse mori një goditje politike nga një pjesë e bazës së tij në një vit zgjedhor.
Kjo mbështetje ka vijuar kryesisht publikisht, por në prapaskenë, ka shenja në rritje se Biden po humbet durimin e tij, thanë zyrtarët amerikanë.
“Gjendja është e keqe dhe ne jemi të bllokuar. Durimi i presidentit po mbaron,” tha një zyrtar amerikan për Axios.
“Në çdo rast, Netanyahu e ka lënë Biden-in të zhgënjyer,” i tha Axios senatori demokrat Chris Van Hollen, i cili ka qenë në kontakt të ngushtë me zyrtarët amerikanë për luftën.
“Ata po i luten koalicionit të Netanyahut, por nuk po marrin asnjë zgjidhje dhe po u përplasen në fytyrë kërkesat.”
Prapaskenat
Biden nuk ka folur me Netanyahun prej 20 ditësh që nga një telefonatë e tensionuar e 23 dhjetorit, të cilën Biden i irrituar e përfundoi me fjalët: “Kjo bisedë ka mbaruar”
Ata kishin folur pothuajse njëherë në dy ditë në dy muajt e parë të luftës.
Përpara se Biden të mbyllte telefonin, Netanyahu kishte kundërshtuar kërkesën e tij që Izraeli të lironte të ardhurat nga taksat palestineze që mbante në burim.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby u përpoq të zvogëlonte ndërprerjen e komunikimit, duke u thënë gazetarëve të mërkurën se “kjo nuk thotë asgjë” për gjendjen e marrëdhënieve.
Por gjithnjë e më shumë po shfaqen shenja acarimi.
“Ka zhgënjim të madh,” tha një zyrtar amerikan.
Gjendja e tanishme
Pika kryesore e zhgënjimit të Biden-it është kundërshtimi i Netanyahut për të zbatuar kërkesat që janë prioritete të SHBA-së.
Përveç çështjes së të ardhurave nga taksat, Biden dhe këshilltarët e tij besojnë se Izraeli nuk po bën mjaftueshëm për të lejuar ndihmën humanitare në Gaza.
Ata janë gjithashtu të irrituar nga mosgatishmëria e Netanyahut për të diskutuar seriozisht planet për të ardhmen e Gazës pas luftës dhe hedhja poshtë e planit të SHBA-së për një Autoritet Palestinez të reformuar që të ketë një rol në Gazën pas Hamasit.
Zyrtarët amerikanë tani po bëhen gjithnjë e më shumë të shqetësuar se Izraeli nuk do përmbushë afatin për kalimin në operacione me intensitet të ulët në Gaza deri në fund të janarit, bazuar në atë se si janë gjërat në Gaza, veçanërisht në qytetin jugor të Khan Younis.
Nëse Izraeli nuk i zvogëlon ndjeshëm operacionet e tij në Gaza, për të cilën zyrtarët amerikanë kanë bërë presion me shpresën për të ulur viktimat palestineze, ka të ngjarë të bëhet gjithnjë e më e vështirë për Biden-in që të mbajë të njëjtin nivel mbështetjeje për fushatën ushtarake të Izraelit.
I pyetur për zhgënjimet, një zëdhënës i NSC-së i tha Axios se administrata është “përqendruar në sigurimin që Izraeli të mund të mbrohet nga Hamasi”, duke kërkuar të rrisë ndihmën për Gazën “për të lehtësuar vuajtjet e civilëve palestinezë” dhe duke punuar me Izraelin “për të siguruar lirimin e të gjithë pengjeve”.
Pamja e gjerë
Vizita e Sekretarit të Shtetit Blinken në Izrael javën e kaluar vetëm sa përkeqësoi zhgënjimet brenda Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit, thanë zyrtarët amerikanë që folën me Axios.
Netanyahu pranoi të lejonte një mision të OKB-së të hynte në Gazën veriore për të vlerësuar nevojat për kthimin e ardhshëm të civilëve palestinezë në zonë, por kjo ishte gjithçka që ai ishte i gatshëm t’i jepte Blinken-it.
Blinken ishte shumë i hapur me Netanyahun dhe kabinetin e tij të luftës, duke theksuar se plani i qeverisë izraelite për të nesërmen e luftës është “qiqra në hell”, tha një zyrtar amerikan.
Blinken, i cili vizitoi Jordaninë, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin përpara se të shkonte në Izrael, u tha gjithashtu udhëheqësve izraelitë se “asnjë vend arab nuk do u vijë në ndihmë ” për rindërtimin dhe qeverisjen e Gazës nëse Izraeli nuk e lejon Autritetin Palestinez të ketë një rol dhe nuk lejon një horizont politik për palestinezët, tha zyrtari.
U bë e qartë për Blinkenin dhe ekipin e tij gjatë udhëtimit të tyre se kundërshtimi i Netanyahut për të liruar të ardhurat nga taksat palestineze po pengon përpjekjet e SHBA-së për të nxitur reformat në Autoritetin Palestinez, sipas dy burimeve të njohura me takimet e Sekretarit të Shtetit.
Presidenti palestinez Mahmoud Abbas i tha Blinkenit në Ramallah se ishte gati të formonte një qeveri të re – me kërkesë të administratës – por theksoi se ajo nuk do mund të funksiononte pa para dhe të ardhurat nga taksat janë një pjesë e madhe e buxhetit, thanë burimet. .
Administrata Biden po përpiqet të ndryshojë llogaritjet e Netanyahut duke ringjallur përpjekjet për të arritur një marrëveshje të madhe e të rëndësishme me Arabinë Saudite që do përfshinte një marrëveshje historike paqeje me Izraelin.
Blinken i tha Netanyahut se Arabia Saudite ende dëshiron normalizimin pas përfundimit të luftës, por vetëm nëse Izraeli angazhohet për parimin e një zgjidhjeje me dy shtete, thanë më parë zyrtarët amerikanë dhe izraelitë për Axios.
Ndërsa pranojnë se është “e largët” të mendosh se Netanyahu mund të pajtohet me një marrëveshje që vendos një rrugë drejt një shteti palestinez, zyrtarët amerikanë thonë se duan të paraqesin një vizion alternativ ndaj asaj që shumë kanë frikë se do jetë një luftë e pafund në Gaza.
Ndërkohë, administrata Biden po mendon gjithashtu në planin afatgjatë dhe po i mban të hapura kanalet me lojtarë të tjerë politikë në Izrael.
Gjatë vizitës së javës së kaluar, Blinken mbajti një takim të veçantë me ministrin e Kabinetit të Luftës, Benny Gantz, i cili sondazhet e brendshme tregojnë se ka të ngjarë të fitonte me lehtësi zgjedhjet izraelite nëse ato do mbaheshin sot.
Blinken u takua gjithashtu me liderin e opozitës Yair Lapid dhe ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant, rivali kryesor i Netanyahut brenda partisë Likud të kryeministrit.
Tani për tani, Netanyahu duket “më i gatshëm të dëgjojë” ministrat ultranacionalistë në qeverinë e tij – domethënë Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich – sesa “atë që thotë presidenti i Shteteve të Bashkuara,” i tha Axios-it, Senatori Van Hollen.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Axios
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani