Vendosni fjalën kyçe....

“Mos e çoni dëm votën” – Trump sulmon Ramaswamy-n për herë të parë


Ish-presidenti Donald Trump të shtunën theu paktin e tij de facto të mossulmimit me Vivek Ramaswamy, duke sulmuar sipërmarrësin e bioteknologjisë dhe kandidatin presidencial në një postim në rrjetet sociale, duke shkruar: “Një votë për Vivek është një votë për “palën tjetër”.

“Vivek e filloi fushatën e tij si një mbështetës i madh, ‘Presidenti më i mirë në breza’ etj”, shkroi Trump në Truth Social.

“Për fat të keq, tani gjithçka që ai bën është të maskojë mbështetjen e tij në formën e mashtrimeve të fushatës”.

Trump tha se votuesit nuk duhet të “mashtrohen” nga Ramaswamy, duke thënë se sipërmarrësi “nuk është MAGA”.

“Mos e çoni dëm votën tuaj!” shkroi ai.

Ndërsa Trump ka kryer sulme të përsëritura kundër shumicës së kundërshtarëve të tij të vitit 2024, ai kishte shmangur prej kohësh sulmin ndaj Ramaswamy-t, i cili i mbetet besnik ish-presidentit dhe ka premtuar se do jetë i ngjashëm me Trump-in nëse zgjidhet.

Por kjo mund të ketë ndryshuar pasi Ramaswamy ripostoi një foto në X të shtunën ku shfaqet duke pozuar me mbështetësit e veshur me këmisha ku shkruhej: “Shpëtoni Trump-in, votoni Vivek”.

Sulmi i rrallë i Trump të shtunën ishte rezultat i faktit se Ramaswamy “e kishte goditur ariun shumë herë”, sipas këshilltarit të lartë të fushatës së Trump, Chris LaCivita.

“Nuk mund ta godasësh ariun pa u kafshuar,” shtoi LaCivita.

Të shtunën vonë, Ramaswamy u përpoq të hidhte poshtë sulmin e Trump-it, duke e quajtur atë një “lëvizje të pafat nga këshilltarët e tij të fushatës”.