Vendosni fjalën kyçe....

Shtëpia e Bardhë: Sekretarit Austin do qëndrojë në spital


Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha të dielën se mjekët e Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA, Lloyd Austin mendojnë se ai mund të ketë nevojë për kujdes shtesë.

“Ne do e shohim, kur ai mund të dalë nga spitali, por padyshim që ata ende mendojnë se ai mund të ketë nevojë për kujdes shtesë. Një pjesë e kësaj është vetëm terapi fizike,” tha Kirby për “Face the Nation” të CBS.

Kirby tha se ka komunikim të rregullt rutinë midis Presidentit Joe Biden dhe Austin dhe se sekretari mbetet “i përfshirë në mënyrë aktive” edhe nga spitali.

Austin mbetet i shtruar në spital dhe është në gjendje të mirë, tha Pentagoni të dielën, duke shtuar se ende nuk ka një datë specifike për daljen e tij që andej.

Austin, 70 vjeç, u shtrua në Qendrën Mjekësore Ushtarake Kombëtare ‘Walter Reed’ në Maryland më 22 dhjetor për të trajtuar kancerin e prostatës. Ai u kthye në spital më 1 janar për shkak të ndërlikimeve, duke përfshirë një infeksion të traktit urinar dhe që atëherë ka qëndruar atje.