Dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri nga shumica dhe Enkelejd Alibeaj nga opozita i kanë dërguar një letër OSBE/ODIHR.
Gjiknuri dhe Alibeaj i kërkojnë OSBE/ODIHR ekspertë që të angazhohen në realimin e reformës zgjedhore.
Letra e plotë:
Na lejoni fillimisht të shprehim falenderimet dhe mirënjohjen e thellë për kontributin që OSBE/ODIHR ka dhënë gjatë këtyre viteve për zhvillimin dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë në një prej themeleve të rëndësishme të saj, siç janë zgjedhjet. Me vendimin nr. 12, datë 10.02.2022, të ndryshuar, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për realizimin e Reformës Zgjedhore. Komisioni ka për detyrë hartimin e ndryshimeve legjislative për reformën zgjedhore, në veçanti trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 25 Prillit 2021 dhe për zgjedhjet e mëparshme të patrajtuara, rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet, të partive politike parlamentare dhe organizatave jofitimprurëse.
Për këtë arsye, ashtu siç ramë dakord me përfaqësues të OSBE/ODIHR-it në takimin e zhvilluar në Dhjetor 2023, ku diskutuam punën e Komisionit dhe nevojën që pranë Komisionit të vendoset në dispozicion ekspertiza e ODIHR-it, kemi kënaqësinë që në emër të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore t’ju paraqesim kërkesën për të kontribuuar me ekspertë të fushës së zgjedhjeve, të ODIHR-it, për të asistuar punën e këtij Komisioni.
Mënyra e komunikimit të ekspertëve të caktuar nga ju, me Komisionin e Reformës Zgjedhore, mund të përcaktohet në vijim të bashkëpunimit tonë të mëtejshëm.
Duke ju falenderuar paraprakisht për gatishmërinë dhe bashkëpunimin tuaj,
Sinqerisht,
BASHKËKRYETARËT
Damian GHKURI
Enkelejd ALIBEAJ