Vendosni fjalën kyçe....

Hapet ankandi fotovoltaik hibrid, Balluku: Ka interes nga shumë kompani, rrit kapacitet prodhuese të vendit


Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur prej ditës së sotme një tjetër ankand, i cili rrit më tej kapacitetet energjetike të vendit. Ankandi fotovoltaik hibrid është ankandi me kapacitetin më të madh që vendi ynë ka hapur deri më tani, 300 MW.

Kapaciteti minimal i ofruar për të marrë pjesë në këtë garë është 10 MW, ndërsa kapaciteti maksimal 100 MW.  Ankandet janë titulluar hibride pasi shteti në këto projekte do të garantojë vetëm blerjen e energjisë me një çmim të paracaktuar. Çmimi maksimal i pranueshëm do të jetë 59.97 euro/ MWh.

Hapja e ankandit u njoftua nga Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në prani edhe të përfaqësuesve të BERZH dhe SECO të cilët edhe në këtë ankand janë pjesë e të gjithë procesit së bashku me ekipin e MIE.

“Ky ankand do jetë i suksesshëm pasi të gjitha përmasat, parametrat, kriteret të cilat ne do të kërkojmë gjatë këtij ankandi janë padyshim kritere të cilat janë të plotësueshme dhe mbi të gjitha dimë që interesi ka qenë shumë i madh dhe prandaj kemi vendosur që të hapim një ankand të ri për sa i përket burimeve të rinovueshme nga dielli”, tha Balluku.

Të gjitha kompanitë e interesuara mund të paraqesin ofertat e tyre teknike dhe financiare deri në datën 17 Maj, ndërkohë që fituesi do të shpallet në datën 10 Korrik të këtij viti.

“Ankande hibride quajmë ato ankande ku shteti shqiptar është i gatshëm për të blerë energjinë e prodhuar nga këto ankande për një afat të përcaktuar, në këtë rast 15 vite, por pa angazhuar asete të tjera. Pra në ankandin e parë, në ankandin e Karavastasë apo edhe në ankandin e Spitallës ne kemi angazhuar edhe asete publike, siç është vendosja e truallit në dispozicion, ndërkohë në ankandin e sotëm shteti blen energjinë dhe është detyrë e të gjithë ofertuesve që të marrin masat qoftë për truallin, qoftë për prodhimin, për teknologjinë që do të përdoret dhe gjithçka tjetër”, shtoi më tej Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se është e rëndësishme zbatimi dhe respektimi i afateve, për të mos pasur shtyrje të tyre, pasi koha për Shqipërinë është shumë e rëndësishme.

“Unë i bëj thirrje të gjitha kompanive shqiptare të cilat kanë kapacitetet dhe të gjitha kompanive të huaja që tashmë e kanë provuar angazhimin e Qeverisë Shqiptare, angazhimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë, mënyrën transparente me të cilën punojmë, me garancinë e ekspertëve të BERZH-it dhe të SECO-s që të marrin pjesë në këtë ankand ku dyshemeja e prodhimit minimal është 10 megavat/orë, tavani i prodhimit maksimal do të jetë 100 megavat/orë. Mund të konkurroni edhe me projekte të ndryshme në vendndodhje të ndryshme. Çmimi maksimal është 59.97 euro për MW/h dhe ankandi nis menjëherë në këto momente”, nënvizoi Balluku.

Rritja e kapaciteteve prodhuese të energjisë është një ndër objektivat kryesorë të Qeverisë Shqiptare me synimin që vendi unë të kthehet në një eksportues neto të energjisë elektrike deri në vitin 2030.