Vendosni fjalën kyçe....

“Pavarësia e Tajvanit qorrsokak, e pamundur” – Kryediplomati i Kinës


Në komentet e para nga kryediplomati kinez që nga zgjedhjet presidenciale në Tajvan, Wang Yi të dielën përjashtoi çdo mundësi për pavarësi për kombin ishull.

“Tajvani nuk ka qenë kurrë një vend, as në të kaluarën dhe as në të ardhmen. Pavarësia e Tajvanit nuk ka qenë dhe nuk do jetë kurrë e mundur,” u tha Wang gazetarëve në kryeqytetin egjiptian Kajro, ku ai mbërriti të shtunën në një udhëtim zyrtar.

William Lai Ching-te i Partisë Demokratike Progresive (DPP) në pushtet fitoi zgjedhjet presidenciale trepalëshe me 40.5% të votave në atë që u bë mandati i tretë radhazi i paparë për një parti në vendin ishull, të cilin Kina e pretendon si të sajin.

Wang përsëriti se zgjedhjet në Tajvan ishin një “çështje e brendshme për Kinën”.

“Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, kjo nuk do ndryshojë faktin bazë që ka vetëm një Kinë në botë dhe Tajvani është pjesë e Kinës, as nuk do ndryshojë konsensusin e përgjithshëm të komunitetit ndërkombëtar për t’iu përmbajtur parimit të Një Kine”, tha Wang, sipas Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Kjo ishte deklarata e tretë e Pekinit që nga fitorja e Lai të shtunën.

Ai shtoi: “Kushdo që shkel parimin e një Kine në komunitetin ndërkombëtar po ndërhyn në punët e brendshme të Kinës dhe po cenon sovranitetin e Kinës dhe me siguri do kundërshtohet nga i gjithë populli kinez dhe madje edhe nga komuniteti ndërkombëtar”.

Komentet e Wang vijnë pasi Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken tha: “Ne e përgëzojmë Dr. Lai Ching-te për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale të Tajvanit. Ne gjithashtu urojmë popullin e Tajvanit për pjesëmarrjen në zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe demonstrimin e forcës së sistemit të tyre demokratik.”

Megjithatë, presidenti amerikan Joe Biden tha të shtunën se Uashingtoni “nuk e mbështet” pavarësinë e Tajvanit, të cilin Kina e konsideron si territorin e saj dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta bashkuar atë me kontinentin.

Taipei ka këmbëngulur për pavarësinë e tij që nga viti 1949.

Wang vuri në dukje se 80 vjet më parë, Kina, SHBA dhe Britania e Madhe lëshuan “Deklarata e Kajros”, e cila “përcaktoi qartë se “Tajvani, territori kinez i vjedhur nga Japonia, duhet t’i kthehet Kinës”.

“Kushdo në ishullin e Tajvanit që dëshiron të ndjekë pavarësinë e Tajvanit për të ndarë territorin e Kinës do ndëshkohet ashpër nga historia dhe ligji,” paralajmëroi Wang.

Ai tha se përpjekjet për pavarësinë e Tajvanit “kërcënojnë seriozisht mirëqenien e bashkatdhetarëve të Tajvanit”.

“Është një qorrsokak. Kina përfundimisht do arrijë ribashkimin e plotë dhe Tajvani do kthehet në përqafimin e atdheut”, tha Wang.