Vendosni fjalën kyçe....

Shqetësim në SHBA, ushtria e qeveria e Kinës sigurojnë çipa të përparuar Nvidia pavarësisht sanksioneve


Organet ushtarake kineze, institutet shtetërore të kërkimit të Inteligjencës Artificiale dhe universitetet kanë blerë gjatë vitit të kaluar grupe të vogla gjysmëpërçuesish Nvidia të ndaluara nga SHBA-ja që të eksportohen në Kinë, siç tregon një rishikim i Reuters i dokumenteve të tenderave.

Shitjet nga furnizues kryesisht të panjohur kinezë nxjerrin në pah vështirësitë me të cilat përballet Uashingtoni, pavarësisht ndalimeve të tij, në ndërprerjen e plotë furnizimit të Kinës me çipat e përparuar të SHBA-së që mund të nxisin përparimin në Inteligjencën Artificiale dhe kompjuterë të sofistikuar për ushtrinë e saj.

Blerja ose shitja e çipave të nivelit të lartë të SHBA-së nuk është e paligjshme në Kinë dhe dokumentet e tenderit të disponueshëm publikisht tregojnë se dhjetëra subjekte kineze kanë blerë dhe marrë faturat e gjysmëpërçuesve Nvidia që nga vendosja e kufizimeve.

Këto përfshijnë çipin e tij A100 dhe çipin më të fuqishëm H100 – eksportet e të cilit në Kinë dhe Hong Kong u ndaluan në shtator 2022 – si dhe çipat më të ngadaltë A800 dhe H800 Nvidia të zhvilluara më pas për tregun kinez, por që u ndaluan gjithashtu tetorin e kaluar.

Njësitë e përpunimit grafik – një lloj çipi – që janë ndërtuar nga Nvidia shihen gjerësisht si më të përparuara se prodhimet rivale për punën e Inteligjencës Artificiale, pasi ato mund të përpunojnë në mënyrë më efikase sasi të mëdha të të dhënave të nevojshme në punën e makinerive.

Kërkesa e vijueshme dhe qasja në çipat e ndaluar Nvidia nënvizon gjithashtu mungesën e alternativave të mira për firmat kineze pavarësisht zhvillimit të sapolindur të prodhimeve rivale nga Huawei dhe kompani të tjera. Përpara ndalimeve, Nvidia komandonte një pjesë prej 90% të tregut të çipave të Inteligjencës Artificiale të Kinës.

Blerësit përfshinin universitete elitare, si dhe dy entitete që i nënshtrohen kufizimeve të eksportit të SHBA – Instituti i Teknologjisë Harbin dhe Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë Elektronike të Kinës, të cilët janë akuzuar për përfshirje në çështje ushtarake ose për lidhje me ushtrinë, gjë që bie ndesh me interesin kombëtar të SHBA-së.

I pari bleu gjashtë çipa Nvidia A100 në maj për të stërvitur një model të mësimit të thellë. Ndërsa i fundit bleu një A100 në dhjetor 2022. Qëllimi i tij nuk u identifikua.

Asnjë nga blerësit e përmendur në këtë shkrim nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Rishikimi i Reuters zbuloi se as Nvidia dhe as shitësit me pakicë të miratuar nga kompania nuk ishin midis furnizuesve të identifikuar. Nuk ishte e qartë se si furnizuesit i kanë blerë çipat e tyre Nvidia.

Megjithatë, në vazhdën e kufizimeve të SHBA-së, një treg nëntokësor për çipa të tillë në Kinë ka lindur. Shitësit kinezë kanë thënë më parë se rrëmbejnë stokun e tepërt që gjen rrugën drejt tregut pasi Nvidia dërgon sasi të mëdha në kompanitë e mëdha amerikane ose importon përmes kompanive të inkorporuara në vend në vende të tilla si India, Tajvani dhe Singapori.

Reuters kërkoi koment nga 10 prej furnizuesve të listuar në dokumentet e tenderit, duke përfshirë ato të përmendura në këtë shkrim por asnjëri prej tyre nuk u përgjigj.

Nvidia tha se është në përputhje me të gjitha ligjet e zbatueshme të kontrollit të eksportit dhe kërkon që klientët e saj të bëjnë të njëjtën gjë.

“Nëse mësojmë se një klient ka bërë një rishitje të paligjshme te palët e treta, ne do ndërmarrim veprime të menjëhershme dhe të përshtatshme,” tha një zëdhënës i kompanisë.

Departamenti Amerikan i Tregtisë nuk pranoi të komentojë. Autoritetet amerikane janë zotuar të mbyllin zbrazëtirat në kufizimet e eksportit dhe kanë lëvizur për të kufizuar qasjen në çipa nga njësitë e kompanive kineze të vendosura jashtë Kinës.

Chris Miller, profesor në Universitetin Tufts dhe autor i “Lufta e çipave: Lufta për teknologjinë më kritike në botë”, tha se ishte joreale të mendohej se kufizimet e eksportit të SHBA-së mund të jenë të padepërtueshëm nga kontrabanda duke pasur parasysh se çipat janë të vegjël dhe mund të kontrabandohen lehtësisht.

Qëllimi kryesor është “pengimi i zhvillimit të Inteligjencës Artificiale të Kinës” duke e bërë të vështirë ndërtimin e grupeve të mëdha të çipave të zhvilluar, të aftë për të trajnuar sistemet e Inteligjencës Artificiale, shtoi ai.

Blerësit ushtarakë, Inteligjenca Artificiale

Rishikimi përfshin më shumë se 100 tendera ku entet shtetërore kanë blerë çipat A100 dhe dhjetëra tendera që nga ndalimi i tetorit tregojnë blerjet e çcipave A800.

Tenderët e publikuar muajin e kaluar tregojnë gjithashtu se Universiteti Tsinghua bleu dy çipa H100 ndërsa një laborator i drejtuar nga Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit prokuroi një tjetër.

Blerësit përfshijnë një ent të paidentifikuar të ushtrisë kineze me bazë në qytetin Wuxi, provincën Jiangsu, sipas tenderëve nga një bazë të dhënash ushtarake. Ai kërkoi 3 çipa A100 në tetor dhe një çip H100 këtë muaj.

Tenderët ushtarakë në Kinë shpesh redaktohen shumë dhe Reuters nuk ishte në gjendje të mësonte se kush i fitoi ofertat ose arsyen e blerjes.

Shumica e tenderëve tregojnë se çipat po përdoren për Inteligjencën Artificiale. Megjithatë, sasitë e shumicës së blerjeve janë shumë të vogla, larg asaj që nevojitet për të ndërtuar një model të sofistikuar të gjuhës së gjerë të Inteligjencës Artificiale nga e para.

Një model i ngjashëm me GPT të OpenAI do kërkonte më shumë se 30,000 karta Nvidia A100, sipas firmës kërkimore TrendForce. Por një pjesë e vogël mund të kryejë detyra komplekse të mësimit të makinerive dhe të përmirësojë modelet ekzistuese të Inteligjencës Artificiale.

Në një shembull, Instituti i Inteligjencës Artificiale Shandong i dha një kontratë 290,000 juanësh (40,500 dollarë) për 5 çipa A100 Shandong Chengxiang Electronic Technology muajin e kaluar.

Shumë nga tenderët përcaktojnë se furnitorët duhet të dorëzojnë dhe instalojnë produktet përpara se të marrin pagesën. Shumica e universiteteve publikuan gjithashtu njoftime që tregonin se transaksioni ishte përfunduar.

Universiteti Tsinghua, i ngjashëm me Institutin e Teknologjisë në Masaçusets të SHBA0së, është një lëshues i tenderëve dhe ka blerë rreth 80 çipa A100 që nga ndalimi i vitit 2022.

Në dhjetor, Universiteti Chongqing publikoi një tender për një çip A100 që shprehimisht thoshte se nuk mund të ishte i dorës së dytë ose i çmontuar, por duhej të ishte “i ri”. Dorëzimi përfundoi këtë muaj, tregoi një njoftim.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani