Një studim i ri zbuloi se njerëzit po konsumojnë mbi 240 mijëgrimca plastike të padukshme me çdo litër ujë në shishe, 10 deri në 100 herë më shumë se sa ishte vlerësuar më parë.
Një litër ujë në një shishe plastike u zbulua se përmban mesatarisht 240,000 grimca, tregoi një studim i publikuar së fundmi. Shumica e këtyre janë nanogrimca të cilat kanë potencialin të depërtojnë në qelizat njerëzore dhe të hyjnë në qarkullimin e gjakut dhe organet kryesore.
Gjetjet e fundit, të botuara në revistën Proceedings of the National Academy of Sciences (PNAS), tregojnë shtrirjen e plastikës në ujin në shishe, e cila ishte shumë e nënvlerësuar në studimet e mëparshme.
Ndërsa mikroplastikat janë gjetur kudo, nga pikat më të thella në oqean e deri te brenda trupave tanë që nga lindja, çdo shishe më parë besohej se përmbante mesatarisht vetëm 325 copë grimca.
Por ky studim i ri nga studiues nga Universiti i Columbias në SHBA tregon se prania e grimcave plastike është afërsisht njëqind herë më shumë se kaq, duke sfiduar normat e pranuara më parë rreth sigurisë së ujit në shishe.
Shumica e këtyre grimcave vinin nga vetë shishja, sipas autorëve. Këto janë grimca që janë më pak se një mikron në madhësi.
Studiuesit përdorën pesë mostra nga tre marka të ujit në shishe në SHBA dhe zbuluan se nivelet e grimcave plastike shkonin nga 110,000 në 400,000 për litër, mesatarisht rreth 240,000 nga shtatë lloje të plastikës.
Autorët nuk pranuan të përmendnin se cilat marka u përdorën si mostra.
Përafërsisht 90 për qind e këtyre grimcave u identifikuan si nanoplastikë dhe pjesa tjetër ishin mikroplastikë. Nanogrimcat janë më pak se një e shtatëdhjeta e gjerësisë së flokut të njeriut, aq të vogla sa nuk mund të shihen nën mikroskop.
Studiuesit duhej të shpiknin një teknologji për të përcaktuar sasinë e këtyre grimcave të vogla për të qenë në gjendje të numëronin dhe analizonin strukturën kimike të nanogrimcave në ujin në shishe.
Ndërsa shkencëtarët e dinin se nanoplastika ekzistonte në ujin e ambalazhuar, Naixin Qian, një studente doktorature në kimi në Universitetin e Columbias dhe autore kryesore e punimit të ri tha “përpara studimit tonë, njerëzit nuk kishin një numër të saktë se sa”.
Studimet e mëparshme treguan se nanogrimcat e plastikës mund të hyjnë në qeliza dhe inde në organet kryesore, të lëvizin përmes qarkullimit të gjakut dhe të përhapin kimikate sintetike potencialisht të dëmshme në trup, duke arritur në gjak, mëlçi dhe tru.
Ndërsa ndikimet e mundshme të këtyre nanogrimcave janë të njohura, studiuesit nuk janë të sigurt nëse këto gjetje e bëjnë ujin në shishe më të rrezikshëm.
“Ajo është aktualisht në shqyrtim. Ne nuk e dimë nëse është e rrezikshme apo sa e rrezikshme,” tha bashkëautorja e studimit Phoebe Stapleton, një toksikologe në Rutgers.
“Ne e dimë se ata po hyjnë në indet e gjitarëve, duke përfshirë njerëzit dhe kërkimi aktual po shikon se çfarë po bëjnë ata në qeliza,” tha bashkëautorja e studimit, Stapleton.