Vendosni fjalën kyçe....

Arrihet marrëveshja mes Izraelit dhe Hamasit për mjekimin e pengjeve në këmbim të ndihmës humanitare në Gaza


Katari dhe Franca kanë ndërmjetësuar një marrëveshje me Izraelin dhe grupin islamik palestinez Hamas për të ofruar mjekim urgjent për rreth 45 pengje izraelitë të mbajtur nga grupi në Gaza në këmbim të ndihmës humanitare dhe mjekësore për civilët më të cenueshëm.

Të dy vendet thanë se ndihma do të nisej nga Katari për në Egjipt të mërkurën përpara se të kalonte përmes pikës kufitare Rafah.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari tha në një deklaratë se marrëveshja do të nënkuptojë se “ilaçet së bashku me ndihmat e tjera humanitare do t’u dërgohen civilëve në Rripin e Gazës, në zonat më të prekura dhe më të cenueshme, në këmbim të dërgimit të mjekimeve të nevojshme për izraelitët”.

Ai nuk dha detaje se sa ndihma apo çfarë ndihme do t’u dërgohej civilëve, përcjell Reuters.

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se dy avionë të Forcave Ajrore të Katarit do të uleshin të mërkurën në Egjipt me ilaçe të blera në Francë bazuar në një listë izraelite.

Më parë, Philippe Lalliot, kreu i qendrës së krizës në ministrinë e jashtme të Francës, e cila organizon përpjekjet për ndihma, tha se negociatat kishin vazhduar për javë të tëra dhe ideja fillestare kishte ardhur nga familjet e disa prej pengjeve izraelite.

Secilit prej 45 pengjeve do t’i dorëzoheshin paketa specifike mjekësore për disa muaj, të cilat u grumbulluan në Francë. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq do të koordinojë në terren.

Franca ka ende tre shtetas të mbajtur në Gaza, por asnjëri prej tyre nuk ka nevojë urgjente për mjekim, tha Lalliot.