Vendosni fjalën kyçe....

Bashkitë hapin ofertat, tokë me qira për fotovoltaikë dhe kampingje turistike


Bashkia e Vaut të Dejës njoftoi se tashmë ka shpallur kompaninë fituese e cila do të marrë të drejtën mbi një hapësirë prej 0.141 hektarë për 9 vite e cila do të investojë në një projekt turizmi. Detajet mbi këtë projekt janë dhënë në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik.

“Oferta e paraqitur për dhënien me qira të ekonomisë Pyjore Gomsiqe, ngastra nr.39/a, për sipërfaqen 0.141ha “Për qëllime pushimi, argëtimi, për veprimtari turistike, kampingje(kënde lojërash, shoqërore, shëndetësore dhe mjedise sporitve, shplodhëse, kulturore etj)”, me afat përdorimi(qiraje) 9 vite është prej 11,632 lekë në vit pa TVSH” thuhet në këtë dokument. Hapja e shpalljes nga ana e Bashkisë u bë në 10 ditëshin e dytë të dhjetorit të kaluar.

Ndëkrohë një tjetër bashki ka njoftuar mbi mundësinë e dhënies së tokave me qira për subjekte private që duan të zhvillojë aktivitet në sektorin e energjisë dhe konkretisht në atë fotovoltaik. Bashkia Poliçan njoftoi dhënien në përdorim të sipërfaqes pyjore / kullosore ngastra 24, Ekonomia Pyjore Mali Tërpan , pasuritë me nr 974/7 zk 3584 e llojit kullote sip. 174000 m2 , në pronësi të bashkisë Poliçan për vendosje stacionesh, bazamente për panele fotovoltaike me qëllim prodhimin e energjisë .

“Vlera fillestare: 3 074 400(tre milion e shtatëdhjetë e katër mije e katërqind) Lekë/Vit. (Referuar V.K.M-së Nr.559, date 29.07.2022 “Për përcaktimin e çmimeve dhe tarifave për dhënien në shfrytëzim/përdorim të fondit pyjor kombëtar, për veprimtari ekonomike, si edhe për prodhimet drusore dhe jo drusore pyjore” shtojca 1 /pika 8)” thuhet në dokumente.

Ky nuk është rasti i parë kur Bashkitë po njoftojnë mbi toka të lira për dhënie me qira në funksion të turizmit dhe energjisë, dy sektorë që kanë marrë rëndësi të veçantë viteve të fundit. Për të parin interesi lidhet me numrin rekord të vizitorëve dhe kuriozitetin në rritje për turizmin e aventurës ndërsa për energjinë kriza e vitit 2021-2022 orientoi investimet fort në këtë drejtim, diçka që po vijon ende.

Synimi për diversifikim të prodhimit të energjisë ku vendi të mos jetë i varur më vetëm nga “hidro” i ka dhënë shtysë projekteve në fotovoltaikë dhe eolikë teksa qeveria të hënën e kësaj jave njoftoi hapjen e ankandit 300MW hibrid që synon të zgjerojë prodhimin nga fotovoltaikët edhe më tej pas kalimit të procedurave dhe përzgjedhjes së fituesve.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor