Vendosni fjalën kyçe....

Bylykbashi për Reformën Zgjedhore: Komisioni të reflektojë


Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, ka reaguar në lidhje me Reformën Zgjedhore, ku thotë se reagimet e sotme të njëpasnjëshme e pa vonesë të përfaqësuesve të BE, Shteteve të Bashkuar dhe Mbretërisë së Bashkuar, “jo vetëm nxorën në pah pavërtetësinë e deklaratave të Lulzim Bashës, por kërkuan qartazi që reforma të trajtojë me konstruktivitet dhe gjithëpërfshirje problemet zgjedhore”.

Gjithashtu thotë se në reagimet e tyre, nuk ka asnjë mbështetje për deklaratën e kryeministrit Rama që deklaroi se për reformën zgjedhore do të kërkojë thjesht shumicën numerike të 84 votave.

Reagimi i Oerd Bylykbashit:

Partia Demokratike thekson sërish se dhunimi i zgjedhjeve të 14 majit 2023 është në themel të krizës politike që po kalon Shqipëria. Shkalla e dhunimit dhe injorimit jo vetëm të Kodit Zgjedhor dhe parimeve kushtetuese, por edhe e standarteve zgjedhore ndërkombëtare në këto zgjedhje dhe zgjedhjet pararendëse barazohen vetëm me zgjedhjet e vitit 2001, që u dënuan nga raporti i OSBE/ODIHR-it dhe Parlamenti Europian.

Në vitin 2001, rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe rezoluta e Parlamentit Europian i kërkuan mazhorancës socialiste në parlament të ngrinte një komision reforme zgjedhore bipartizan, mazhorancë-opozitë, ku dy forcat reale më të mëdha të kishin bashkëdrejtimin e komiaionit dhe veton që pengonte vendime të njëanshme dhe garantonte konsensus, sidhe përfshirjen e të gjitha forcave politike. Ky qëndrim ishte një distancim i qartë nga reforma e njëanëshme me shumicë numerike e vitit 2000, kur PD, forca reale drejtuese e opozitës, u shmang nga reforma.

Reagimet e sotme të njëpasnjëshme e pa vonesë të përfaqësuesve të BE, Shteteve të Bashkuar dhe Mbretërisë së Bashkuar, jo vetëm nxorën në pah pavërtetësinë e deklaratave abuzive të djeshme të Lulzim Bashës sikur partnerët ndërkombëtarë paskan mbështetur me ndërmjetësim një grupim minoritar deputetësh, por kërkuan qartazi që reforma të trajtojë me konstruktivitet dhe gjithëpërfshirje problemet zgjedhore. Në mënyrë shumë të qartë, në deklaratat e OSBE, BE, SHBA dhe Mbretërisë së Bashkuar nuk ka asnjë mbështetje për deklaratën e Kryeministrit Rama që deklaroi se për reformën zgjedhore do të kërkojë thjesht shumicën numerike të 84 votave me ata që ai bën pazar, siç bëri për vetingun.

Komisioni i reformës zgjedhore është bipartizan dhe konsensual vetëm nëse reflekton raportet reale të forcave politike në mazhorancë dhe opozitë, vetëm nëse Partia Demokratike, përfaqësuesja reale e shumicës dërrmuese të votuesve opozitarë, zotëron bashkëdrejtimin e komisionit dhe veton që garanton konsensusin real politik mazhorancë-opozitë.

Komisioni aktual nuk përfaqëson asnjë nga kriteret që sigurojnë gjithëpërfshirje dhe konsensus konstruktiv. Kundërshtimi nga opozita i përbërjes, drejtimit dhe mekanizmit aktual vendimmarrës në komisionin e reformës zgjedhore sidhe rrëzimi nga mazhoranca i kërkesës së grupit parlamentar të PD-së për t’i ndryshuar këto, është një nga dy arsyet themelore politike të mosfunksionimit normal të parlamentit, krahas mosngritjes së komisioneve hetimore parlamentare.

Është praktikë e mirëpërcaktuar në 20 vitet e fundit nga OSBE/ODIHR që asistenca teknike dhe ekspertiza e tyre t’i ofrohet vetëm një komisioni vërtet konsensual bipartizan. Një ekspertizë e tillë ka ndihmuar shpeshherë në gjetjen e konsensusit mes dy forcave kryesore politike dhe mes mazhorancës dhe opozitës në përgjithësi. Kërkesa drejtuar OSBE/ODIHR-it, e nënshkruar dje nga bashkëkryetarët aktualë, synon të thyejë këtë traditë pozitive. Ajo nuk përfaqëson Partinë Demokratike dhe opozitën reale dhe synon legjitimim të një reforme bazuar thjesht në numra dhe pazare të Ramës dhe Bashës.

Korniza aktuale e komisionit është e barazvlefshme vetëm me një shumicë numerike, siç synon Kryeministri Rama. Sa kohë mazhoranca ruan këtë status quo, ky komision nuk është as gjithëpërfshirës dhe as konsensual dhe përbën një farsë të papranueshme për Partinë Demokratike. Çdo produkt i tij nuk mund të jetë konsensual dhe nuk garanton zgjedhje me standarte.