Pasi publikimit të lajmit se klinika e Roland Xhaxhos nuk ishte e pajisur me licencë për shërbime stomatologjike në momentin që ka kryer ndërhyrjen e 3-vjeçarit Brian Spahia që humbi jetën, i ati Bledari kërkon që prokurorja Alma Felaj të hiqet nga kjo çështje.
Sipas Report tv Bledar Spahia thotë se Alma Felaj kërkon të deformojë çështjen dhe për këtë ka pasur edhe një takim me drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës, ku i ka kërkuar largimin e saj nga çështja e djalit.
“Me drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës kemi folur në lidhje me prokuroren e çështjes Alma Felaj, ajo duhej të tërhiqej nga kjo çështje se nuk është e aftë ti japë zgjidhej çështjes. Me gjithë këto fakte që kanë dalë ajo nuk ka vepruar ndërkohë që më datë 6 tetor ka bërë kontrollin tek klinika ‘Splendent’ e Xhaxhos dhe në dijeninë time kjo klinikë ka qenë pa licencë. Sot e kësaj dite ajo klinikë vepron, mbush dhëmbët e njerëzve që nuk e kanë marrë vesh se çfarë ka ndodhur në atë klinikë”, u shpreh Bledar Spahiu.
Ai pretendon se prokurorja i ka fshehur 11 ditë rezultatet e aktit të ekspertimit të parë që u publikuan në muajin nëntor.
“Unë i kam marrë informacionet vetë. Nga prokurorja s’kam marrë asnjë informacion, as aktin e ekspertimin ajo donte ta fshihte. Unë e kam marr vesh nga mediat, 11 ditë më ka mbajtur pezull nuk më ka treguar”, tha ai.
Babai i 3 vjeçarit Bledar Spahia është dhe kundër propozimit të prokurores për një ekspertizë të dytë me ekspertë të huaj
“Prokurorja kërkon të deformojë çështjen, do ta vonojë e të prishë sa më shumë prova. Ekspertët mjekoligjorë shqiptarë e kanë bërë shumë saktë. Kur ajo nuk pranon ekspertët shqiptarë si mund të pranoj unë ekspertizën e një shteti të huaj? Ajo nuk pranon vendimin e një institucion shtetëror. Ata ekspertët janë grup, nuk është 1 apo 2 mjekë. Ajo do të prishë provat”.
Bledar Spahia i ka dërguar prokurores së çështjes kërkesë ku i kërkon informacione më të detajuara se çfarë po bëhet me hetimet lidhur me çështjen. Ai i ka ngritur disa pyetje, si nëse është kryer akti i dytë i ekspertimit dhe a ka rezultate. Nga ana tjetër, prokurorja e çështjes, Felaj i ka kthyer përgjigje duke i thënë se e ka marrë disa herë në zyrë për ta informuar për çështjen.
I vogli, Brian Spahiu, i gjeti vdekjen në reanimacionin e pediatrisë në QSUT më 1 tetor, 3 ditë pas ndërhyrjes në klinikën private Splendent, brenda ambjenteve të spitalit privat të Zemrës në Tiranë.
Babë e bijë, Roland dhe Ina Xhaxho janë në hetim në gjendje të lirë për veprën penale “Neglizhenca ne trajtim mjekësor”, që konsiderohet kundërvajtje penale dhe si e tillë në fazën fillestare nuk pranon masë sigurisë “arrest në burg”.