Vendosni fjalën kyçe....

Drejtuesja në Detyrë e OSBE-së takon Gjiknurin e Alibeajn për Reformën Zgjedhore: Do e mbështesim me ekspertizë


Ushtruesja e Detyrës së Drejtueses së Prezencës së OSBE-së në Tiranë, znj Clarisse Pasztory ka zhvilluar një takim me bashkëkryetarët e komisionit parlamentar të reformës zgjedhore.

Ajo ka mirëpritur rifillimin e punës të premtes dhe përshpejtimin në javët e ardhshme.

Reforma e re zgjedhore do të ndihmohet me ekspertizë edhe nga OSBE/ODIHR.

“Takova sot bashkëkryetarët e komisionit të reformës zgjedhore Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj. Mirëpres rifillimin e punës të premten dhe përshpejtimin e saj javët e ardhshme, me ndihmë e ekspertizë nga OSBE-ODIHR. Vijojmë takimet gjithëpërfshirëse për këtë reformë të rëndësishme”- shprehet përfaqësuesja e OSBE.

Ditën e djeshme u publikua letra e dërguar nga Alibeaj dhe Gjiknuri për OSBE/ODIHR ku kërkonin ekspertë për të ndihmuar në reformën zgjedhore.

Edhe Alibeaj ka reaguar për takimin me Pasztory-in duke shkruar se ka siguruar se Partia Demokratike e ka prioritet Reformën Zgjedhore në mënyrë që të garantohet për qytetarët shqiptarë një proces zgjedhor i lirë dhe i drejtë.

Alibeaj në postimin e tij shpreh kështu edhe propozimin e PD-së për ndryshimet në reformë ku kërkon një zonë kombëtare zgjedhore, votën e diasporës dhe numërim elektronik.

Sot pata kënaqësinë të mirëprisja në një takim Ambasadoren në Detyrë të Prezencës së OSBE/ODIHR në Shqipëri Znj. Clarisse Pasztory sëbashku me një delegacion, për të bashkëbiseduar mbi procesin e Reformës Zgjedhore, i cili mbetet jetik për demokracinë e vendit.

Në cilësinë e bashkë-kryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore i shpreha konsideratën për mbështetjen permanente të Prezencës së OSBE në Shqipëri mbi procesin e Reformës Zgjedhore, në përputhje me frymën e parimeve kushtetuese, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Po ashtu, i sigurova se për Partinë Demokratike të Shqipërisë, Reforma Zgjedhore përbën prioritetin kryesor i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent për shqiptarët, në mënyrë që t’i garantohet qytetarëve shqiptarë një proces zgjedhor i lirë dhe i drejtë, nëpërmjet listave të hapura, një zonë kombëtare zgjedhore, votim për qytetarët shqiptarë në diasporë dhe proces votimi dhe numërimi elektronik.

Gjithashtu e falenderova Znj. Pasztory për konsistencën në mbështetjen e vazhdueshme të Prezencës së OSBE në Shqipëri mbi Reformën Zgjedhore dhe për ofrimin e vyer të asistencës teknike në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore”-shkruan Alibeaj.