Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka ndërhyrë për të ndaluar Ministrin e Financave Mehmet Simsek të marrë pjesë në takimin e Forumit Ekonomik Botëror (WEF) në Davos këtë javë mbi qëndrimin e organizatës ndaj luftës Izrael-Hamas, raportoi Bloomberg të hënën.
Simsek do udhëtonte në Zvicër për mbledhjen vjetore të elitave të biznesit dhe politikës derisa Erdogan e anuloi udhëtimin, raportoi Bloomberg, duke cituar “njerëz të njohur me këtë çështje”.
Është e paqartë se sa të tjerë po planifikonin të udhëtonin në delegacionin e Simsek-ut, me Bloomberg-un që deklaron thjesht se udhëheqësi turk “u kishte kërkuar zyrtarëve të vendit të tij të shmangnin” samitin.
Në tetor, themeluesi i Forumit Ekonomik Botëror Klaus Schwab lëshoi një deklaratë duke dënuar “sulmet terroriste të Hamasit kundër Izraelit”. Deklarata gjithashtu bëri thirrje për mbrojtjen e “popullatës civile në Gaza”.
Erdogan ka qenë shumë më i ashpër në kritikat e tij ndaj Izraelit, duke e akuzuar për kryerjen e “gjenocidit” në Gaza dhe duke thënë se kryeministri Netanyahu “nuk është i ndryshëm nga Hitleri”.
Presidenti turk nuk ka qenë në Davos që nga viti 2009, kur mori pjesë në një debat me kryeministrin izraelit Shimon Peres. Erdogan, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Turqisë, qortoi Peresin për inkursionin e Izraelit në Gaza asokohe, përpara se të shpallte se “nuk mendoj se do të kthehem në Davos pas kësaj” ndërsa largohej nga skena.
Një zëdhënës i WEF tha për Bloomberg se “gjendja e vështirë e sigurisë dhe ajo humanitare në Lindjen e Mesme do jetë një fokus kyç” i samitit të këtij viti dhe se “mbi 50 liderë nga bota arabe, duke përfshirë një përfaqësues të nivelit të lartë palestinez” do jenë të pranishëm gjatë takimit njëjavor.