Vendosni fjalën kyçe....

Krisen raportet me Dortmund, Reyna mendon largimin nga verdhezinjtë


Giovanni Reyna nuk po kalon periudhë të mirë te Borussia Dortmund. Raportet mes mesfushorit amerikan dhe klubit verdhezi kanë patur krisje së fundmi dhe mediat nuk hezitojnë të flasin për një “divorc” të mundshëm. Drejtori sportiv Sebastian Kehl  e qortoi lojtarin të dielën: “Nuk ka kuptim të ankohesh, thjesht duhet të futësh gazin dhe të provosh veten”.

Reyna në 12 paraqitje zyrtare këtë sezon në Bundesligë, Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Kampionëve, luajti vetëm 321 minuta. Me rikthimin e Jadon Sancho, konkurrenca dhe presioni janë shtuar, me të ardhmen që mbetet ende e paqartë.

Sipas informacioneve të Sky Sport DE, Reyna po planifikon largimin e tij. Kontrata e tij me Dortmund skadon në vitin 2025 dhe 21-vjeçari ka ndërruar edhe agjent, shenjë se diçka po gatuhet. Kohët e fundit ka pasur interes nga Marseille, Seville dhe Real Sociedad, ai mund të largohet për 15-20 milionë.