Vendosni fjalën kyçe....

Demokratët s’gjejnë qetësi, përplasen keqazi grupet Berisha-Basha-Bardhi, akuza, kundërakuza, replika, ç’ndodhi sot


Pas

Pas kaosit në Kuvend nisur në muajin Tetor, mbledhja e parë për  2024 e Komisionit të Medias ka rikthyer deputetët e të dyja palëve në tryezë, por  njëherësh edhe përplasjet. Edhe pse mbledhja drejtohej nga deputetja  PD-së Flutura Açka, Flamur Noka i Rithemelimit dhe Gazment Bardhi nuk e kursyen atë, duke ia ndërprerë fjalën, larguar mikrofonin dhe ndalur punimet e komisionit.

“Nuk e mbyll mikrofonin se nuk marr urdhra prej teje Gaz Bardhi” tha Açka

Deputeti Gazment Bardhi nuk kurseu as kolegen Merita Bakiu, e cila e cilësoi grupin e Rithemelimt palë me maxhorancën.

“Lulzim Basha është shërbëtor i regjimit dhe një zagar që ka shitur interesat e demokratëve dhe të të vijë turp që i shkon nga mbrapa”, është shprehur Bardhi.

Noka dhe Bardhi kishin vendosur edhe zhurmues në sallë. Mbledhja zgjati vetëm pak minuta e më pas nuk vonuan reagimet e protagonistëve të sherrit, Flutura Açkës, Gazment Bardhit por dhe kryetarit të PD-së Lulzim Basha.  

Ndërkohë pas kësaj situate ka reaguar dhe Lulzim Basha i cilësoi të turpshme veprimet e Nokës dhe Bardhit.

“Turp për këta burrecë të vegjël që mendojnë se duke sulmuar zonjat me dhunë verbale, tregojnë forcë. Kjo vetëm provon se sa të dobët janë” shkruan Basha përmes një postimi në X

Pas deklaratës së kryetarit të PD-së, Lulzim Bashës, vjen reagimi nga Gazment Bardhi. Ky i fundit iu përgjigj akuzave të Bashës, i cili duke iu referuar debateve të sotme me Açkën në Komisionin e Medias.

Bardhi teksa sqaroi se ndihet i keqardhur nga debati me kolegë të opozitës, sulmoi Bashën, ndërsa tha se; “rri në shtëpi e kujdeset të shtojë katet në Kulla, ndërkohë që keqpërdor për fasadë të pazareve në kurriz të demokratëve”.

“Absolutisht i keqardhur nga debati me kolegë të opozitës! Por, është fakt i njohur që opozita është në një betejë kundër mazhorancës në Kuvend, dhe çdo opozitar duhet të jetë krah nesh në këtë betejë, dhe jo përballë njëlloj si Edi Rama. Tentativa për të provokuar me “normalitet të rremë” i kolegëve të opozitës, nuk mund të jetë kurrë strategjia e një opozitari. Ajo është vetëm strategjia e një të paburri, që vetë rri në shtëpi e kujdeset të shtojë katet në Kulla, ndërkohë që keqpërdor për fasadë të pazareve në kurriz të demokratëve, ndershmërinë e disa zonjave deputete, që vazhdojnë të besojnë gënjeshtrat e tij!”, është shprehur Bardhi.

Ndërkohë nga ana tjetër vetë Flutura Açka në një deklaratë për mediat pas përplasjes me Nokën e Bardhin tha se kjo formë e të bërit opozitë duke shkaktuar kaos në Kuvend nuk i ka nxjerrë në dritë.

Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka ka dalë në një konferencë për mediat pas përplasjes me Gazment Bardhin dhe Flamur Nokën në Komision, ku këta dy të fundit nuk e lejuan të zhvillojë mbledhjen u përplasën ashpër.

Açka tha se parlamenti ka dalë jashtë funksioni dhe mbledhjen e Komisionit të Medias fizikisht thotë se pa si një gjest që ta nisin vitin mbarë. Për Açkën, përplasje me kolegët e saj nuk është një gjest i mirë, ndërsa aludimeve të Bardhit i ktheu përgjigje duke i thënë që mund t’i drejtohet SPAK.

“Parlamenti ka dalë nga aksi është jo funksional, e mendova si një gjest të parë, ta fillojmë këtë vit mbarë. Ka disa muaj që ne nuk e themi dot fjalën si opozitë. Ne kemi bërë beteja të mëdha në komision për media që drejtoj unë, sidomos ligji për Butrintin, që presim nga dita në ditë të marrim një përgjigje pozitive në të mirë të trashëgimisë kulturor. 

Sot përballem me një përplasje me kolegët e mi që mendojnë se ne duhet ta mbajmë në kaos parlamentin, e shih si një detyrë jo të mirë dhe jashtë detyrës sime dhe mos t’i tregoj qytetarëve shqiptarë se ku e ka plagën kjo qeveri. 

Kjo ka qenë arsyeja që kam vendosur si kryetare që këtë sesion ta japim me mbledhje fizike dhe të bëjmë opozitë po aq të ndershme sa opozita në formë proteste. Kam keqardhje të madhe, është një përplasje që lidhet me kolegët tanë. 

E kam për aludimet e hapura, i bëj thirrje Bardhit dhe kujtdo tjetrit që mendon në raport me mua dhe kolegët e tjerë ti drejtohen SPAK, çfarëdo iluzioni që mund t’i drejtohet opinionit publik që në të shumtën e herës cilësohen si retorikë politike, janë shumë të dëmshme në kampin opozitar. Kam keqardhje të madhe që nuk u përfshiva dot në buxhetin katastrofik. Shqiptarët nuk e morën vesh kurrë se çfarë buxheti katastriofik ka për arsimin dhe kulturën”, tha Açka.

Edhe Anëtarja e Krysisë së Partisë Demokratike, Taulanda Jupi reagoi ndaj dhunës së Flamur Nokës, duke e cilësuar atë, akt për për halle personale . Në rend të ditës së komisionit ishte miratimi i procesverbaleve të mbledhjeve të datave 18 dhe 19 dhjetor 2023 dhe diskutimi dhe miratimi i kalendarit të punës së Komisionit për periudhën 15 janar- 2 shkurt 2024.

Anëtarja e Kryesisë së PD, Taulanda Jupi ka reaguar pas përplasjes së Flamur Nokës dhe Gazment Bardhit në Komisionin për Mediat. Jupi shkruan se kjo dhunë është e patolerueshme ndërsa shton se hallet e tyre nuk duhet t’i zgjidhin në kurriz të grave demokrate.

“E patolerueshme dhuna që ushtrohet live nga Kuvendi i Shqipërisë ndaj Kryetares së Komisionit të Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Zj. Flutura Açka. E rëndë të ngulmosh në dhunë, e papranueshme ta përsëritësh dhe ta kërkosh dhunën me vetëdije.

Dhuna nuk zgjidh asnjë konflikt politik apo social. Dhuna thjesht krijon probleme të tjera më të ndërlikuara. Të ndalet dhuna dhe akuzat ndaj deputeteve të Partisë Demokratike në Komisionin e Medias. Hallet personale mos i zgjidhni në kurriz të zonjave demokrate”, shkruan ajo.