Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria prezanton në Kuvend emrin e ambasadores për në OKB? 


Qeveria ka prezantuar sot në Komisionin për Politikën e Jashtme të Kuvendit kandidaturën për kreun e ri të Misionit tonë në OKB.

Ambasadorja Suela Janina, e cila ka drejtuar me sukses për një kohë të gjatë Misionin e Shqipërisë në BE, në përfundim të procesit screening tashmë do të marrë këtë detyrë të rëndësishme.

Janina është diplomate karriere me eksperiencë 25-vjeçare në shërbimin diplomatik dhe ka mbajtur pozicione të larta në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ajo ka gjithashtu kontribut në OKB në fushën e të drejtave të njeriut, si ekspertja e parë shqiptare në këtë fushë, ku ka mbajtur dhe mandate drejtuese si përfaqësuese e Shqipërisë.

Kush është ambasadorja Suela Janina

E lindur në Tiranë në 1976, znj.Janina është e martuar dhe nënë e dy fëmijëve. Ajo është Doktor i Shkencave Juridike,  dhe e ka mbrojtur titullin shkencor me temën “Mbrojtja diplomatike e të drejtave të njeriut”.

Diolomatja Janina ka gjithashtu Master në Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut në Evropën Juglindore, dhe diplomë MA nga Universiteti i Bolonjës.

Nga tetori 2014 e në vijim, ambasadorja Janina ka qenë kreu i Misionit të Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Europian, me gradën diplomatike, Ministër Fuqiplotë.

Ajo ka qenë më herët Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e RSH pranë Mbretërisë së Belgjikës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut si dhe Konsulle pranë Konsullatës së Përgjithshme të RSH në Milano.

Janina ka mbajtur detyra të larta në Ministrinë e Punëve të Jashtme, si Drejtore e Përgjithshme e Marrëdhënieve Shumëpalëshe, Drejtore e Drejtorisë të Traktateve dhe së Drejtës Ndërkombëtare, etj.

Janina flet gjuhët Anglisht, Frëngjisht, Italisht. Ajo ka dhënë lëndën e së drejtës publike në Fakultetin Juridik dhe lëndët e drejtë ndërkombëtare publike, e drejta e organizatave ndërkombëtare, të drejtat e njeriut, në disa universitete jo-publike

Suela Janina është autore e artikujve shkencorë në botime të brendshme dhe ndërkombëtare, si dhe pjesëmarrëse e kontribuuese në shumë konferenca dhe forume të ndryshme me tematikë fushën e diplomacisë dhe jurisprudencës.

Funksione në organizatat ndërkombëtare

  • 31 maj 2011- në vijim, eksperte e OKB për të drejtat e njeriut, ekspertja e parë shqiptare e zgjedhur në sistemin e organeve të traktateve të OKB për të drejtat e njeriut
  • Shtator 2011- shtator 2017, Zëvendëskryetare e Komitetit të OKB kundër Zhdukjeve me Forcë
  • Shtator 2017- qershor 2019, Kryetare e Komitetit të OKB kundër Zhdukjeve me Forcë
  • Qershor 2021-qershor 2025, anëtare e Komitetit të OKB kundër Zhdukjeve me Forcë
  • Mars 2013- mars 2018, zëvendës arbitër, Gjykata e Pajtimit dhe Arbitrazhit e OSBE.
  • Maj 2016- në vijim, anëtare, përfaqësuese e Shqipërisë në Dhomën e Përhershme të Arbitrazhit, Hagë.