Ministri i Brendshëm Taulant Balla në një takim në Elbasan për analizën e policisë së këtij qyteti vuri theksin tek zbardhja e vrasjeve të vjetra ndërsa njoftoi se shumë shpejt do të ekstradohet autori i një vrasje të rëndë që ka ndodhur në 2009
“Do vijojmë zbardhjen e vrasjeve të ndodhura në Elbasan. I kam kërkuar policisë të fokusohet tek gjetja e personave në kërkim.
Shumë shpejt do të ekstradojmë një person që akuzohet për një ngjarje të rëndë kriminale të vitit 2009 për një vrasje që është një prej atyre ngjarjeve për të cilat drejtori i Elbasanit ka marrë porosi për të vijuar të zbulojë ngjarjet e vjetra kriminale”-deklaroi Ministri i Brendshëm.
Balla foli edhe për shqyrtimin e një projektligji për bullizimin ne rrjetet sociale ku tha se duhet të përmirësohet kuadri ligjor.
“Kemi një njësi të posaçme brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë përsa i përket Krimit Kibernetik, ndërkohë që sot me Drejtorin e Poërgjithshëm kemi diskutuar për të bashkuar forcat në funksion të hetimit të të gjitha formave të krimit kibernetik. Ai po shfaqet në shumë forma, njëra prej tyre është dhuna, bullizmi në rrjete sociale, jo vetëm ndaj të miturve, por ndaj të gjithë shoqërisë. Për këtë qëllim, do të rrisim komunikimin tonë si Polici Shteti me shkollat, me të gjithë shoqërinë dhe po ashtu koordinimin me prokurorinë në mënyrë që të bllokojmë çdo lloj faqe që përbën problem. Ndërkohë po hulumtojmë përgatitjen e një ligji të posaçëm për të rregulluar këtë problematikë që është shfaqur dhe që ka ankesa nga qytetarët. Rasti i Durrësit, edhe pse hetimet çuan në një pistë tjetër, ishte një alarm dhe një rast që kërkon që ne të rrisim dhe të përmirësojmë kuadrin ligjor për t’u përballur me këtë fenomen” tha Balla.