Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi ka reaguar në lidhje me dekretimin e ndryshimit të ligjit për ngritjen e komisioneve hetimore, nga presidenti Bajram Begaj.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Çupi shprehet se Presidenti duhet të vlerësonte kushtetutshmërinë e ndryshimeve të njëanshme, pas konsultimeve të gjëra me ekspertë të fushës, shoqërinë civile dhe palë të interesuara.
Ndër të tjera demokratja shprehet se ndjen keqardhje që Presidenti nuk del dot përtej interesit politik të atyre që e votuan për të qenë në detyrën ku është.
Postimi i plotë:
Marrja e provave, pyetja e dëshmitarëve dhe debati parlamentar në komisionet hetimore janë përpjekje për të bërë transparencë mbi veprimtarinë institucioneve dhe funksionarëve publikë.
Komisionet hetimore janë mishërimi i një prej funksioneve themelore të Kuvendit, ushtrimi i kontrollit parlamentar ndaj qeverisë. Me këto konsiderata në mendje, Presidenti i Republikës duhet të vlerësonte kushtetutshmërinë e ndryshimeve të njëanshme, pas konsultimeve të gjëra me ekspertë të fushës, shoqërinë civile dhe palë të interesuara.
Nëse do të kishe vepruar kështu, me siguri Presidenti do të qartësohej mbi shkeljet e rënda që përmbajnë ndryshimet ligjore për komisionet hetimore dhe do të kishte kthyer në Parlament ligjin, si mundësi reflektimi nga mazhoranca për t’u kthyer në binarët e Kushtetutës.
Keqardhje që Presidenti nuk del dot përtej interesit politik të atyre që e votuan për të qenë në detyrën ku është.