Zyrtarët perëndimorë thanë në Davos të mërkurën se ishin të hapur ndaj idesë së konfiskimit të 300 miliardë dollarëve të aseteve ruse për të ndihmuar Ukrainën, por paralajmëruan se kjo nuk do ishte zgjidhje për Kievin, shkruan Reuters.
Pasi Rusia sulmoi Ukrainën në vitin 2022, SHBA-ja e aleatët e saj ndaluan transaksionet me Bankën Qendrore të Rusisë dhe Ministrinë e Financave, duke bllokuar rreth 300 miliardë dollarë asete sovrane ruse në Perëndim.
Vendet e G7-ës po diskutojnë për konfiskimin e mundshëm të aseteve të ngrira ruse, megjithëse disa anëtarë të G7-ës kanë shqetësime për precedentin që vendoset, mekanizmin dhe ndikimin e mundshëm të ndërmarrjes së një hapi të tillë kundër aseteve të Bankës Qendrore.
“Gjëja e parë që duhet të dini është se në këtë çështje do përfshihen një numër mjaft i lartë avokatësh. Asnjë vendim nuk është marrë,” i tha një paneli të hënën Penny Pritzker, përfaqësuesja speciale e SHBA-së për rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës.
“Nëse merret një vendim, ai do duhet të jetë i përbashkët. Është një perceptim i gabuar të mendosh se ky do të jetë një ilaç çudibërës. Ka përpjekje që po bëhen, por ne jemi larg përfundimit.”
Rusia, e cila nuk ishte e përfaqësuar në Davos, ka paralajmëruar se konfiskimi i këtyre aseteve do shkonte në kundërshtim me parimet e tregjeve të lira dhe Kremlini ka paralajmëruar se do konfiskonte asetet e SHBA-së, Evropës dhe aleatëve të tyre si kundërpërgjigje