Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë vizitës në Bavari të Gjermanisë, u ndal te sfidat me të cilat po përballet në këto kohë kontinenti evropian sa i takon emigracionit të paligjshëm.
Ai tha se marrëveshja e nënshkruar me Italinë për emigrantët është në përputhje me vlerat evropiane. Sipas Ramës, emigracioni nuk është çështje e të majtës apo e të djathtës, por prej kësaj, do varet e ardhmja e kontinentit.
“Së pari, më duhet të them se është shumë e rëndësishme të dëgjosh nga të dyja palët këtu në Gjemani, se ajo çfarë po bëjmë nuk është në shkelje të asnjë vlere evropiane dhe të asnjë vlere njerëzore, pasi nuk ishte e dukshme kur e nisëm këtë gjë dhe u përballëm me shumë kritika, sidomos nga miqtë e mi homologë socialistë në Evropë, ndërkohë që është shumë e thjeshtë në sytë e mi. Nëqoftëse kjo marrëveshje do të ishte lidhur, po themi, midis Italisë dhe Republikës Çeke apo nëqoftëse Shqipëria nuk do të ishte Shqipëria, por do të ishte, të themi Sllovakia, askush nuk do ta kishte zënë me gojë, do të kishte qenë gjëja me e natyrshme, – solidaritet evropian – dhe ka një marrëveshje nëse nuk gaboj, Emanuele e di më mirë sesa unë, brenda Bashkimit Evropian, që mbështetet tek koncepti i rishpërndarjes, apo jo, – ç’ka nënkupton se nuk mund të jetë mallkimi i Italisë që është toka e parë përtej detit Mesdhe që shihet nga Afrika dhe nuk mund te jetë mallkimi i Gjermanisë, që është Gjermania. Pra, të gjitha vendet duhet të marrin pjesë dhe fakti që ne po bëjmë pikërisht atë çfarë të shkruhet në marrëveshjen evropiane, një qendër pritjeje për të shqyrtuar çdo rast dhe për të kryer të gjitha procedurat bazuar në ligjet evropiane, nuk duhet të jetë arsye për të ngritur një tjetër konflikt të pakuptimtë, të zbrazët e politik. Ka shumë konflikte politike bazuar në interesat e politikws sw ditës kur vjen fjala për këtë temë e po kështu edhe për shumë tema të tjera dhe kjo është humbje kohe, kjo krijon huti mes njerëzve dhe kjo është të humbasësh horizontin për nga e ardhmja.
Kjo nuk është çështje e së majtës apo të djathtës, kjo është çështje e asaj çfarë BE dhe Evropa do të jenë 10 vite prej këtej; si do të duken ky kontinent e këto vende në 2040, në 2050 e më gjatë. Dhe kjo është përgjegjësia e udhëheqjes dhe atyre që janë votuar për këtë.
Ndaj po them, që për ne, besoj bëmë atë çfarë duhet të bënim sepse për ne BE nuk është një menu nga ku ti mund të zgjedhësh çfarë të pëlqen dhe lë atë çfarë nuk të pëlqen.Ndoshta do të donim që të kishim diçka tjetër për të bërë, por na duhet të përballemi së bashku. Nuk është diçka e lehtë, nuk është një temë mjaft e këndshme për t’u marrë sepse është objekt i kaq shumë diskutimeve, por duhet të japim kontributin tonë dhe nuk ka rëndësi nëse nuk jemi anëtarë të BE. Ne kemi detyrën të sillemi si anëtarë të nderuar, dinjitozë, të cilëve u besohet plotësisht, të këtij komunitet.“, tha Rama