Ndihmëstrajneri i Golden State Warriors, Dejan Milojeviç, u nda befas nga jeta pas një sulmi në zemër. Njoftimi u dha nga krerët e Shoqatës Kombëtare të Basketbollit (NBA) të mërkurën sipas të cilit tekniku serb pësoi një sulm në zemër gjatë një darke me ekipin.
46-vjeçari Milojeviç ishte në sezonin e tij të tretë si ndihmëstrajner me Golden State pasi ndihmoi skuadrën të fitonte kampionatin e NBA-së në vitin 2022.
“Ne jemi absolutisht të shkatërruar nga largimi i papritur i Dejanit”, tha trajneri i Warriors, Steve Kerr. “Kjo është një goditje tronditëse dhe tragjike për të gjithë sidomos tifozët e Warriors dhe një kohë tepër e vështirë për familjen, miqtë e tij dhe të gjithë ne që patëm kënaqësinë e jashtëzakonshme të punonim me të.”
“Përveç se ishte një trajner i mrekullueshëm basketbolli, Dejan ishte një nga qeniet njerëzore më pozitive dhe më të bukura që kam njohur ndonjëherë, dikush që sillte gëzim dhe dritë në çdo ditë me pasionin dhe energjinë e tij.” – shtoi Kerr.
Drejtuesit e ekipit thanë se Milojeviç u dërgua në një spital të Salt Lake City të martën pasi pësoi një sulm në zemër në një darkë të ekipit por pavarësisht përpjekjeve vdiq të mërkurën në mëngjes.
Para se të bashkohej me Warriors, Milojeviç e kaloi sezonin 2021 si trajner i Buducnostit në Ligën Adriatik në Mal të Zi. Para këtij roli, Milojeviç ishte trajner i Mega Basket në Beograd, Serbi, për tetë sezone.