Vendosni fjalën kyçe....

S’deklaroi orën luksoze, Schwarzenegger e pëson në aeroportin gjerman


Ish-ylli i Hollivudit dhe ish-guvernatori i Kalifornisë, Arnold Schwarzenegger është ndaluar për disa orë në aeroportin e Mynihut pasi nuk kishte deklaruar një orë luksoze, që thuhet se çoi në një gjobë të rëndë përpara se të lejohej të vijonte udhëtimin për në vendlindjen e tij, Austri.

Incidenti nisi pasi fluturimi i Schwarzenegger nga Los Angeles u ul në Gjermani të mërkurën pasdite. Ai u ndalua nga doganierët, të cilët kontrolluan bagazhin e tij dhe gjetën një orë luksoze ‘Audemars Piguet’.

Incidenti po hetohet si një rast i evazionit të mundshëm fiskal, tha zëdhënësi i doganave Thomas Meister për gazetën gjermane Bild.

“Ora duhet të ishte e regjistruar sepse është import,” tha ai.

Bild publikoi një foto të ish-yllit hollivudian 76-vjeçar duke mbajtur kutinë e orës në një zyrë me dy doganierë. Schwarzenegger i tha medias se ai u përpoq t’u shpjegonte autoriteteve se e nxori orën në ankand të enjten në Austri për një kauzë të mirë, nismën e tij për klimën, “por nuk ishte e dobishme”.

Ora ishte bërë posaçërisht për Schwarzenegger dhe thuhet se vlerësohej mbi 20,000 euro. Ai u vonua më tej kur u përpoq të paguante taksën dhe gjobën e tij, sepse makina e kartave të kreditit nuk po funksiononte dhe kufiri i tërheqjes në bankomatin ku ishte sjellë, ishte shumë i ulët.

Çështja e pagesës u zgjidh përfundimisht dhe Schwarzenegger u lejua të vijonte udhëtimin për në Austri rreth tre orë pas mbërritjes në Mynih, sipas raporteve të mediave.