Pamje të rralla kanë treguar Korenë e Veriut duke dënuar publikisht dy adoleshentë me 12 vjet punë të rëndë për shkak se janë zënë duke shikuar filma jug-koreanë.
Pamjet që posedon BBC-ja, që duken të jenë të vitit 2022, treguan dy 16-vjeçarë në pranga para qindra studentëve në një stadium. Po ashtu, shihen oficerët që i qortojnë djemtë se nuk “reflektuan thellësisht për gabimet e tyre”.
Shfaqjet e Koresë së Jugut, përfshirë televizionin, janë të ndaluara në Korenë e Veriut.
Pavarësisht kësaj, disa janë të gatshëm të rrezikojnë me dënime të rënda për t’u qasur në filmat jug-koreanë, të cilët kanë një audiencë të madhe globale. Pamjet e tilla janë shumë të rralla sepse Koreja e Veriut ndalon fotografitë, videot apo provat e tjera të jetës në vend që të bëhen publike.
Videoja përfshin edhe një folës që përsërit propagandën shtetërore. “Kultura e regjimit të kalbur është përhapur tek adoleshentët”, dëgjohet ai. “Ata janë vetëm 16 vjeç, por ata shkatërruan të ardhmen e tyre”.