Vendosni fjalën kyçe....

Shitja e narkotikëve, AMP arreston sirianin në Tiranë, procedohet edhe një efektiv i policisë


Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka nisur hetimet në lidhje me një grup kriminal që ka të bëjë me shpërndarjen e lëndëve narkotike në kryeqytet.

Mësohet se në fokus të hetimeve është një person, tashmë i arrestuar me origjinë nga Siria, por që ka edhe shtetësi shqiptare.

AMP ka dyshime të forta se ky i fundit ka përfshirë në skemën e shpërndarjes të lëndëve narkotike edhe efektivë të policisë.

Burime bëjnë me dije se në hetim është përfshirë një efektiv i policisë, i cili aktualisht është në sektorin e antidrogës në Shkodër.

Më përpara ka shërbyer në të njëjtin sektor në  Tiranë. Efektivi, emri i të cilit nuk bëhet publik për shkak të hetimeve i ka dhënë automjetin e tij privat shtetasit sirian.

AMP dyshon se automjeti është përdorur për transport të lëndës narkotike me qëllim shmangien e kontrolleve policore.

 

Njoftimi:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka arrestuar në flagrancë shtetasin W.H., 27 vjeç, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, si edhe ka proceduar në gjendje të lirë punonjësin e policisë N/Komisar H.P., me detyrë Specialist në Seksionin kundër Narkotikëve në DVP Shkodër.

Procedimi penal në ngarkim të tyre ka nisur pasi në datë 15 janar, rreth orës 19:30, shtetasi W.H., me kombësi siriane e shtetësi shqiptare, me precedentë të mëparshëm kriminal, është konstatuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë duke qarkulluar me automjetin në pronësi të punonjësit të policisë H.P., e gjatë kontrollit personal iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë.

Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, si dhe rolin e punonjësit të policisë H.P.