Vendosni fjalën kyçe....

Agjencia e OKB-së: Turizmi ndërkombëtar pritet të rimëkëmbet plotësisht në 2024


Turizmi ndërkombëtar pritet të kthehet në nivelet e tij para pandemisë këtë vit, pas shifrave të forta të vitit 2023, njoftoi sot Organizata Botërore e Turizmit, transmeton Anadolu.

“Pritet që rritja e lidhjeve ajrore dhe rimëkëmbja më e fortë e tregjeve dhe destinacioneve aziatike të mbështesin rimëkëmbjen e plotë deri në fund të vitit 2024”, tha agjencia e OKB-së në Barometrin e parë Botëror të Turizmit të këtij viti.

Turizmi ndërkombëtar në vitin 2023 arriti 88 për qind të nivelit të tij para pandemisë me 1,3 miliard turistë, vuri në dukje agjencia.

Lindja e Mesme i parapriu rimëkëmbjes, duke u shfaqur si rajoni i vetëm që kapërcen nivelet para virusit me 22 për qind turistë ma shumë se në 2019.

Rajoni më i vizituar në botë, Evropa, ka arritur 94 për qind të niveleve para pandemisë, falë kërkesës ndërrajonale dhe udhëtimeve nga SHBA-ja.

Afrika dhe Amerika u rimëkëmbën me 96 për qind të vizitorëve para pandemisë, ndërsa Azia dhe Paqësori arritën 65 për qind të niveleve të vitit 2019 pas rihapjes së disa tregjeve dhe destinacioneve.

Të ardhurat nga turizmi ndërkombëtar arritën në 1,4 trilion dollarë në vitin 2023, 7 për qind më pak nga 1,5 trilion sa ishin në 2019, sipas vlerësimeve paraprake nga agjencia.

Të ardhurat totale të eksportit nga turizmi (përfshirë transportin e pasagjerëve) janë parashikuar në 1,6 trilion dollarë në 2023, gati 95 për qind e 1,7 trilion dollarëve nga 2019.

Vlerësimet paraprake treguan se kontributi ekonomik i turizmit ishte 3,3 trilion dollarë në vitin 2023, ose 3 për qind e prodhimit të brendshëm bruto global.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e AA.