Deputetja Jorida Tabaku, ka sjellë në vëmendje krizën në sektorin e fasonëve, duke e quajtur atë krizë të 75 mijë familjeve shqiptare.
Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se arsyeja e e krizës vjen si pasojë e parasë së pisët, mungesës së vizionit të qeverisë dhe mungesës së ofrimit të këtyre bizneseve për të operuar në një treg real pa ekonomi informale.
Tabaku dhe më tej analizon se kjo do jetë kosto për 75 mijë familje që rrezikojnë humbjen e vendeve të punës.
“Më në fund qeveria njohu që biznesi fason, produkti Made in Albania që sot ka 20% të eksporteve në veshje dhe 38% të eksporteve në total ka sot një problem real. Nga vjen kjo vështirësi? Nga vjen kjo krizë? Kjo krizë nuk lindi sot me nesër. Kjo krizë vjen nga paraja e pisët në ekonomi, vjen nga mungesa e vizionit të qeverisë dhe nga mungesa e ofrimit të këtyre bizneseve për të operuar në një treg real pa ekonomi informale.
Kjo ka bërë që këto biznese të kenë më pak likuiditete, të kenë më pak para për kontratat, të kenë mundësi për të ndihmuar 75 mijë punonjësit e tyre që nesër mund të dalin në rrugë. Kush është zgjidhja dhe kush është për problemin që po përjetohet sot? Sigurisht që kriza e likuiditetit do t’i pamundësojnë investimin. Po çfarë ndodhi në dhjetë vite? A pati në dhjetë vite reforma të tregut që ti bënte këto biznese më konkuruese? Që të përfundonin linjat e prodhimit?
Që të investonin në teknologji të reja? Që t’i nxirrnin produktet në tregun europian të përfunduara dhe jo gjysmë të gatshme? Edhe së fundmi a e shfrytëzoi qeveria shqiptare gjithë kapacitetin potencial që ofron procesi integrimit që produtket e këtyre bizneseve të mos konkurrojnë me taksa më të larta kur futen në tregun e BE por të jenë pjesë e tregut të përbashkët me gjithë përfitimet që jep procesi integrimit?
Jo vetëm detyrimet por dhe të drejtat dhe mundësitë që jep këto biznese sot nuk e kanë. Çbën qeveria? Jep e ofron zgjidhje gjysmake për krizat që i ka krijuar vetë jo zgjidhje reale. Duke mos e ndihmuar biznesin të dalë nga situata aktuale ku ndodhet sot”, u shpreh Tabaku.