Vendosni fjalën kyçe....

Debate dhe përplasje në Komisionin e Reformës Zgjedhore çfarë ndodhi në sallën e mbledhjeve


Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk ka mundur të zhvillohet normalisht, pasi deputetë të opozitës kanë bllokuar sallën e mbledhjeve. Deputetët demokratë, por edhe ata partive të tjera opozitare kanë zënë vendin e anëtarëve të Komisionit. Ndërkohë një debat i ashpër është zhvilluar mes Flamur Nokës dhe bashkëkryetarit të Komisionit, Damian Gjiknuri. Deputeti demokrat dëgjohet t’i thotë kolegut të PS “mercenarë”. Demokratët shprehen se ata kanë për bashkëkryetar Oerd Bylykbashin, duke mos pranuar Enkelejd Alibeajn.

“Mesazhi është i thjeshtë me kryetaro reformë nuk bën dot as Edi Rama askush. Ose bëhet reformë ose mercenarë jo”, tha Noka.

Blendi Klosi anëtar në Komisionin për Reformën Zgjedhore është larguar nga mbledhja. Klosi ka shmangur konfrontimin mes grupimit të deputetëve të Bardhit dhe Berishës, të cilët kanë zënë karriget në komision.

“Më ka vënë vendin kush mua? Vendin ma ka dhënë populli shqiptar. Ata kanë zënë karriget, ti mbajnë karriget!’, tha Klosi.

Njëkohësisht bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri ka dalë nga salla e bllokuar nga deputetët e opozitës dhe në fjalën e tij për mediat u shpreh se mbledhja është e pamundur në zhvillohet në sallë, si pasojë e akteve vandale të deputetëve.

“E pamundur për t’u zhvilluar mbledhja. Edhe atë që predendojnë, Oerd Bylykbashin nuk e kanë sjellë dhe Alibeajn si duket nuk e kanë lejuar. Për të ardhur keq, sepse opozita duhet të jetë e para, por është zgjedhja e tyre” tha fillimisht Gjiknuri.

I pyetur nëse mbledhja do të anulohet apo do të mbahet online, ai tha: “Do të ketë një njoftim. Nëse opozita nuk do të bëhet pjesë, do të gjejmë një mënyrë që Reforma të eci përpara.”

Pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka dalë në një konferencë për mediat.

Ai bëri thirrje që parlamenti të pranojë kërkesën e tyre dhe puna të vazhdojë normalisht, ndryshe sipas tij në parlament  nuk do të ketë normalitet.

Ne kërkojmë që ta rikthejmë traditën, sepse kjo reformë është më e rëndësishmja që do të prodhojë stabilitet.

Kërkojmë që pa vonesa, Parlamenti i Shqipërisë të marrë në konsideratë kërkesën tonë, që komisioni t’i kthehet normalitetit.

Ndërkaq Gazment Bardhi pas bllokimit të mbledhjes për Komisionin e Reformës Zgjedhore, tha për mediat se grupi i deputetëve të tij dhe të Rithemelimit, nuk pranojnë përfaqësimin e tyre nga Alibeaj.

Ai tha se i kanë gati propozimet për Reformën Zgjedhore por theksoi se më parë duhet që t’i kthehet legjitimiteti komisionit. 

Ai u shpreh se opozita nuk bllokoi komisionin, por ishte mazhoranca që kërkoi t’i hidhte sy qytetarëve.
Bardhi u shpreh se Kryeministri Edi Rama nuk ka ndërmend të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme, ndaj nuk do pjesëmarrjen e opozitës në komision./ Hashtag.al