Droni që shkatërron tanke, mjete të blinduara, e sisteme anti-raketore do të jetë në duart e Forcave të Armatosura Shqiptare brenda qershorit.
Burime nga Ministria e Mbrojtjes bëjnë me dije se “Dërgesa e parë e dronëve të armatosur “Bayraktar” TB-2 do të mbërrijnë brenda gjashtë mujorit të parë të vitit 2024”.
E ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës ka marrë në dorëzim prej kohësh dronët “Bayraktar” duke rritur kapacitetet e saj operacionale, Shqipëria duhet të presë deri në fund të qershorit 2024 për të krijuar flotën ajrore ushtarake me avionë pa pilote “Bayraktar” TB-2, të njohur si Blloku Taktik 2.
Për të vendosur në funksion këtë teknologji të avancuar, tri ekipe nga Forcat tona të Armatosura aktualisht po ndjekin kurse intensive në Turqi për specialitetet PilotUAV, ElektronikUAV dhe MekanikUAV, lajmin e ndau në rrjetet sociale ministri i mbrojtjes Niko Peleshi.
Ushtarakët shqiptarë kanë kaluar me sukses fazën e përgatitjes teorike ndërsa sot po trajnohen nga mentorët turq për të komanduar nga qendra e kontrollit dronët luftarakë Bayraktar TB-2.
Nga fotografitë e publikuara duket ekipet të përbëra nga tre ushtarakë pasi për të drejtuar “Bayraktar-in” duhen tre persona, komandanti, piloti, dhe një operator.
Më 31 maj të vitit 2023, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për kontratën ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë së njohur turke, “për furnizimin me sistem mjetesh ajrore pa pilot Bayraktar TB-2.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria do blejë në total 6 dronë të armatosur nga kompania turke “Baykar”.
Nuk dihet sa i ka kushtuar Shqipërisë një dron, pasi kontrata ka statusin e një dokumenti të klasifikuar ushtarak, por Kryeministri Rama është shprehur se janë blerë me “çmim të leverdishëm”, pa dhënë shifër konkrete.
Në internet një dron i tillë luftarak thuhet se kushton 5 milion euro.
Marrëveshja e lidhur mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë turke nuk përfshin vetëm blerjen e flotës ushtarake të dronëve pa pilot, por edhe mirëmbajtjen e tyre, trajnimin e më shumë se 30 personave, që janë përzgjedhur me ndihmën e kompanisë për të komanduar dronin brenda për qendrës së kontrollit.
Me shpejtësi rreth 220 kilometra në orë, droni turk në qiell mund të fluturojë mbi 27 orë pa ndërprerë, gjithashtu mund të mbajë ngarkesë deri në 150 kilogramë.
Referuar ligjit turk, shitjet e dronëve” Bayraktar” duhet të miratohen nga ministria e Mbrojtjes turke dhe zyra e Presidentit turk Erdogan.
Por rregullat dhe kriteret e sakta për vendet që dëshirojnë të blejnë armën nuk bëhen publike.
Turqit pretendojnë se dronët nuk mund të përdoren kundër ushtrisë së tyre, pasi kanë të instaluar një sistem që i pengon të sulmojnë, më tej pretendohet se çdo përpjekje për modifikim të dronit rezulton me pasoja duke e bërë të papërdorshëm.
Ekspertët e sigurisë thonë se Bayraktar-i është një ndër dronët më të sofistikuar në botë, dhe mund të operojë dhe të mbrojë gjithë territorin shqiptar.
Për ta blerë dronin e pakapshëm nga radari i cili fluturon në dhjetëra kilometra lartësi nuk është aspak e lehtë pasi lista e pritjes nga shtetet të cilat duan të blejnë dronët me famë “Bayraktar” është e gjatë.
Pjesa më e madhe e ushtrive moderne sot në botë përpiqen të sigurojnë sa më shumë armë që mund të kontrollohen nga distanca dhe të shkaktojnë dëme maksimale tek armiku pa rrezikuar jetën e njerëzve.