Gjashtë aplikime të ndryshme janë dorëzuar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për impiante fotovoltaikë me kapacitet të instaluar që varion nga 25-60 MW dhe që në total përbëjnë 213 MW.
Në një publikim të ministrisë e cila është një procedurë standarde konsultimi për palë të interesuara janë dhënë edhe detajet për projektet të cilët nuk përfitojnë nga masat mbështetëse të qeverisë. Kështu projekti i parë i paraqitur në MIE është një impiant me kapacitet të instaluar 62 MW nga shoqëria “FORTIS ENERGY AND CONSTRUCTION” SH.P.K. Projekti në fjalë synohet që të zbatohet në zonën e Kolonjës Taç i Sipërm, Bashkia Kolonjë.
Projekti i dytë është një impinat fotovolatik në fshatin Rehovë po në Bashkinë Kolonjë.
“Shoqëria “GET SOLAR SOLUTION” sh.p.k. ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 24 MW, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse” thuhet në njoftimin e aplikimeve.
Në zonën e Elbasanit është paraqitur një tjetër projekt që ka kërkuar miratimin e MIE. Sipas njoftimit shoqëria “GRAND KOMPANI” sh.p.k. ka shprehur interesin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 40 MW, për prodhimin e energjisë me vendndodhje në afërsi të Zonës Polis-Vasjan, Bashkia Elbasan.
Po në Elbasan në fshatin Gjonçaj është kërkuar një tjetër projekt për një impiant 32.2 MW kapacitet nga shoqëria “TEKNO FIRE” sh.p.k.
MIE njoftoi gjithashtu se shoqëria “MET INVEST” ka aplikuar për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 30 MW, në Njësinë Administrative Qendër Ersekë, Bashkia Kolonjë kurse projekti i fundit nga “DIELLI I QARRIT” sh.p.k. parashikon ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 25 MW, në Fshatin Floq, Zona Kadastrale 1631, Njësia Administrative Mollaj, Bashkia Korçë.
Për të gjithë aplikimet është lënë një afat 15 ditor për të marrë komente nga palë të interesuara.
Kriza e energjisë që nisi në vitin 2021 nxiti vrullshëm investimet në energjinë fotovolatike jo vetëm në projekte të mbështetura nga qeveria por edhe nga bizneset të cilët gjatë vitit 2022 dhe 2023 orientuan vëmendjen e tyre tek sektori i energjisë.
Deri më tani janë me dhjetëra projekte të pavarur që kanë nisur zbatimin teksa të tjerë janë ende në hallka burokratike. Në fund të vitit të shkuar Shqipëria pa të përfunduar projektin e parë madhor në energjinë fotovolatike siç është impianti i Karavastasë me kapacitet 140 MW por që është ende në fazë komisionimi.
Qeveria nga ana tjetër vetëm pak ditë më parë shpalli ankandin për projektet hibride në fotovolatikë që parashikon dhënien përmes ankandit të një kapaciteti 300 MW ku kompanitë do duhet të paraqesin ofertat deri më 17 maj.
Përmes nxitjes së investimeve në burimet fotovoltaike po synohet gjithmonë e më shumë diversifikimi duke qenë se vendi ende vazhdon të jetë i varur nga burimet hidrike.
VINI RE: Ky material është pçronësi intelektuale e Monitor